Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës ka reaguar, pasi ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se mbi 10 milionë euro do të shkojnë në xhepin e përmbaruesve nga borxhi total prej 35.8 milionë euro për kontratat kolektive vetëm gjatë këtij viti, raporton Gazeta Enigma.
Murati kishte theksuar se “përmbaruesit kanë abuzuar me këto tarifa”.
Oda e ka quajtur deklaratën e Muratit politike e populiste me qëllim për të dëmtuar reputacionin e përmbaruesve privatë.
“Kërkojmë që Murati të tërhiqet nga deklarata e tij, që çështjet procedurale ligjore të shqyrtohen brenda institucioneve të drejtësisë, dhe ka thënë se nëse Murati nuk tërhiqet nga deklarata përmbaruesit do të shqyrtojnë mundësitë ligjore për “të mbrojtur integritetin e profesionit dhe të drejtën tonë për të ushtruar detyrën në mënyrë të ligjshme dhe të pandikuar nga akterët politikë”.
Në reagim thuhet tutje se përmbaruesit zbatojnë ligjin e nuk e krijojnë atë, ndërkaq Oda ka renditur disa pika.
- Tarifat e përmbaruesve nuk caktohen sipas dëshirës, por janë të përcaktuara qartë, bazuar në Ligjin për Procedurën Përmbarimore dhe akte nënligjore, përkatësisht udhëzim administrativ konkret.
- Çdo tarifë është e rregulluar dhe transparente.
- Në vend që të drejtohen akuza të pabazuara ndaj përmbaruesve, institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi për vendimet që marrin dhe detyrimet që krijojnë.
- Rasti kur një tarifë e përmbaruesit tejkalon borxhin është i rrallë dhe ndodh vetëm nëse borxhi është shumë i ulët, ndërsa zbatimi i procedurave ligjore ka një kosto të caktuar, varësisht nga veprimet përmbarimore, por jo vetëm të përmbaruesit, mirëpo edhe sipas tarifës së Odës së Avokatëve, të bazuar në ligj.
- Çdo person, apo institucion, ka të drejtë ligjore të kundërshtojë shpenzimet e procedurës dhe/apo tarifat përmbarimore, duke iu drejtuar gjykatës kompetente. Nëse ka lëshime eventuale të natyrës administrative, në raste individuale, le të trajtohen me prova, për raste konkrete dhe përmes mjeteve juridike në gjykatë, e jo me deklarata të përgjithësuara dhe politike.
- Organ kompetent për shqyrtim dhe/apo kundërshtim të tarifave është gjykata dhe jo podiumet përmes deklaratave të pabazuara politike
Oda ka sqaruar tutje se në procedurën përmbarimore, përveç borxhit kryesor, është e kërkueshme edhe kamata ligjore; shpenzimet e procedurës kontestimore, të cilat gjykata është e obliguar që t’ua njeh palëve, sipas tarifës së Odës së Avokatëve dhe ligjeve në fuqi; ekspertët financiare, etj. Ndërsa, shpenzimet përmbarimore, ka shtuar Oda, nuk janë shpenzime vetëm të përmbaruesit, por edhe për veprime procedurale të avokatit, ekspertit financiar dhe shpenzime për veprimet e përmbaruesit.