Cakolli për votat me postë: VV është afër sigurimit të 49 mandateve

Cakolli për votat me postë: VV është afër sigurimit të 49 mandateve

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka folur për votat me postë të numëruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se nga këto vota vërehet se Lidhja Demokratike e Kosovës ka një rritje të votave, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka një ulje, duke përmendur edhe Lëvizjen Vetëvendosje, sipas tij, vazhdon të jetë e para.

“Me mbi 30% të votave me postë të numëruara (shtuar votave nga vendvotimet e rregullta dhe misionet diplomatike) këto janë projeksionet e ndarjes së mandateve në Kuvendin e Kosovës”.

“Ajo çfarë bie në sy është një performancë tejet pozitive e LDK-së, e një e dobët e PDK-së. LVV-ja vazhdon të jetë e para me shumicën e votave me postë, por është dukshëm larg nivelit të përkrahjes sikur në votat në misionet diplomatike”, ka thënë Cakolli.

Cakolli, me tej, ka folur edhe për ndryshimet që mund të sjellin votat me postë në numrin e ulëseve për deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Më poshtë keni projeksionin e plotë të Cakollit:

– LVV është afër sigurimit të 49 mandateve, por që ta arrijë këtë, duhet të fitojë mbi 60% të të gjitha votave me postë. Me trendin aktual, kjo është e mundur, por jo e garantuar.

– LVV mund të arrijë edhe në 50 mandate, nëse fiton rreth (+) 70% të votave me postë. Me trendet e deritanishme, kjo është vështirë e arritshme, por e mundur.

– Me një trend të tillë, LDK është vetëm disa qindra vota larg që ta marrë edhe një mandat nga PDK, dhe nëse vazhdon të performojë mirë në votat me postë, mund të arrijë 21 mandate.

– Nëse LDK rritet edhe më shumë, kjo mund të ndikojë në gjasat e LVV-së për të siguruar 49 mandate.

– PDK është në zonë kritike midis 23, 24 dhe 25 mandateve. Aktualisht është në 24 mandate, por afër t’a humbë një. E madje, nëse LVV shkon drejt 50 mandateve, PDK mund të humbasë edhe një mandat tjetër.

-Për t’i pasur 25 mandate, PDK-ja duhet t’i ketë mbi 13% të votave me postë – që është gati dyfishi i përqindjes që ka tash.

Related Articles