Ka përfunduar procesi i numërimit të të gjitha votave për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Ky proces që pritej të përfundonte deri në orën 19:00 të mërkurën, ka përfunduar me dy orë vonesë.
Shkak i kësaj vonese u bë një kuti që nuk mund të numërohej pas problemeve në sistem.
Të mërkurën janë numëruar votat me kusht dhe ato të personave me aftësi të kufizuara.
Një ditë më parë, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se janë rreth 15 mijë vota me kusht, ndërsa numri i votave të personave me nevoja të veçanta është dukshëm më i ulët.
Ai ka shtuar se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë një vendim të martën për të llogaritur të vlefshme disa fletëvotime që gjatë procesit të numërimit në QNR janë llogaritur të pavlefshme nga ana e ekipeve të numërimit.