Duka: Ishim krenarë që Xhaka luan për Zvicrën, pse po mërziteni që Brruti luan për Shqipërinë

Duka: Ishim krenarë që Xhaka luan për Zvicrën, pse po mërziteni që Brruti luan për Shqipërinë

Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka reaguar për herë të parë për rastin e kapitenit të Kosovës U21, Etnik Brruti, duke thënë se nuk duhet mërzitur pse ai ka vendosur ta vesh fanellën e Shqipërisë.

Rasti i Brrutit nxiti shumë reagime ditëve të fundit. Mesfushori i Malishevës ka vendosur ta pranojë ftesën e përzgjedhësit të Shqipërisë, Sylvinho dhe pritet të jetë gati për ndeshjet e marsit. Deri tash, ai ka përfaqësuar Kosovën.

Në një intervistë për “Nazarko Podcast”, Duka ka bërë të ditur se po presin që Brruti ta marrë vizën angleze me kohë që të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Anglisë në “Wembley” më 21 mars për kualifikimet e Botërorit.

“Në këndvështrimin sportiv, të gjithë ata që janë mbështetës të përfaqësueses së Kosovës mund të kenë një lloj të drejte, nëse futbollisti është një talent që mund të kishte kontribuar për ekipin që ata mbështesin. Në këtë këndvështrim kanë të drejtë. Në këndvështrimet e tjera nuk kanë të drejtë, sepse kushdo vendos vetë për veten. Nuk kemi pse mërzitemi, ne jemi bërë krenarë që Xhaka luan me Zvicrën, tani mërzitemi se pse Brruti luan me Shqipërinë. Brruti e ka marrë pasaportën dhe kemi aplikuar dhe për vizën angleze dhe uroj ta kemi në kohë”, ka thënë ai.

Kryetari i FSHF-së i jep të drejtë reagimit të babait të Brrutit, i cili pati thënë se zgjedhja e djalit të tij nuk është tradhti, por “besnikëri ndaj idealit për të cilin kemi luftuar”. Tutje, Duka ka thënë se për Shqipërinë mund të luajë kushdo që ndihet shqiptar.

“Pashë një status të babait të lojtarit dhe mendoj që ishte i duhuri. Akuza për mua apo FSHF-në ka në të dyja drejtimet, pse e keni marrë këtë lojtar apo pse nuk e keni marrë. Edhe kur i merr, edhe kur nuk i merr, gjysma e njerëzve janë pro dhe gjysma kundër. Nëse je i bindur që ke bërë më të mirën, duhet të vazhdosh ta bësh. A e kam marrë unë Brrutin? Unë jam një nga ata që vendos për politikat e FSHF-së dhe një nga politikat tona është që dera e Kombëtares është e hapur për këdo. Ne marrim vetëm futbollistët shqiptarë, kushdo që ndihet shqiptar luan për ne”, ka theksuar tutje ai.

Duka pati përgjigje edhe për akuzat e përzgjedhësit të Kosovës U21, Afrim Tovërlani, që ka thënë se lojtarët po shkojnë te Shqipëria për ta marrë pasaportën shqiptare që të luajnë në Rusi. Kryetari i FSHF-së ka thënë se nuk është ky qëllimi. Duke përmendur rastin e Brrutit, Duka ka thënë se ishte dëshirë e lojtarit që të luante për Shqipërinë.

“Nuk besoj se ka futbollistë që e kanë ëndërr të shkojnë në Rusi, po pa dyshim që nuk mund ta refuzojë një klub rus. Futbollistët kanë ëndërr të shkojnë në perëndim, në Angli, Gjermani, Itali, Spanjë, Spanjë. Por nëse karriera i çon në Rusi, mund të luajnë dhe aty. Nuk është ai qëllimi, qëllimi i djalit është që i ka pëlqyer të luajë me Shqipërinë. Ka dhe një shans të madh, ne do jemi pjesë e Kampionatit Europian U-21 2027. Nëse vazhdon karrierën mirë, do të luajë në finalet e këtij kampionati, në karrierë nuk të jepet shumë mundësia kur luan me ekipe relativisht të mesme apo të vogla. Çfarë i ofron Brruti Silvinjos? Teknikisht nuk e njoh, vendosin trajnerët, drejtori teknik i FSHF-së. Nuk e kam parë ndonjëherë. Nuk kam formimin e duhur për ta njohur teknikisht”, ka shtuar ai.

Related Articles