KRU “Hidrodrini”, ka rikthyer furnizim me ujë në fshatrat e Deçanit, teksa ka apeluar që ky ujë të mos përdoret për pije, pasi vazhdojnë dyshimet se helmimi i qindra qytetarëve të Deçanit të cilët nga e shtuna po kërkojnë ndihmë mjekësore ka ardhur pikërisht nga uji.
Përmes një komunikate për medie, kjo kompani ka thënë se ndërprerja e ujit ka qenë si masë siguruese për shkak të dyshimeve për helmim.
“Përkundër se rezultatet e mostrave të ujit të nxjerra nga IKSHPK, kanë rezultuar në pajtim me kushtet dhe standardet e pijes dhe janë publikuar, KRU ‘Hidrodrini’ që nga çasti i parë e deri më sot ka vazhduar të mbajë të ndërprerë furnizimin me ujë për fshatrat në fjalë, kjo si masë siguruese e mëtejme”, thuhet në komunikatë.
Tutje, bëhet e diturse “Sot, pas takimit të Shtabit Emergjent Komunal të Deçanit është vendosur që nga ora 13:00 të rikthehet furnizimi nga sistemi i ujësjellësit për zonën në fjalë”.
“Përkundër këtij vendimi, të përbashkët të Shtabit Emergjent, KRU ‘Hidrodrini’, rekomandon që uji sërish, mos të përdoret për pije, por vetëm për nevoja sanitare dhe higjienike, deri në një vendim të ardhshëm”, thuhet në komunikatë.