Pas sulmeve dhe eskalimit të gjuhës ndaj gazetarëve nga anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, me një reagim dolën Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke dënuar kështu gjuhën e ashpër dhe kërcënuese të Kurteshit.
AGK-ja tha se dënon shprehjet e përdorura nga ish avokati i popullit, me theks të veçantë shprehja seksiste “ta hangsha loçkën”, drejtuar gazetarës së Nacionales.
Po ashtu të pa përshtatshme konsiderojnë edhe deklaratën e Kurteshit, duke e quajtur akuzë të pa pranueshme dhe si e tillë kjo cenon sigurinë e gazetarëve.
AGK-ja i ka bërë thirrje për reagim lëvizjes së VV-së, që anëtari i tyre të mos pengojë procesin e punës së gazetarëve.
“AGK-ja i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që urgjentisht të sigurojë që përfaqësuesi i saj në KQZ të mos pengojë punën e gazetarëve dhe të përmbahet nga gjuha fyese dhe kërcënuese ndaj mediave. Sulmet verbale ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe cenojnë seriozisht lirinë e medias në Kosovë”, shkruhet në reagimin e AGK-së.
Reagimi i plotë:
AGK-ja dënon gjuhën skandaloze, kërcënuese dhe nxitëse të anëtarit të KQZ-së, Sami Kurteshi
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dënon fuqishëm fyerjet dhe kërcënimet e përsëritura të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, ndaj mediave, përfshirë një deklaratë skandaloze të bërë këtë të mërkurë.
Gjatë një pyetje drejtuar atij nga gazetarja e Gazeta Nacionale, Besarta Hoti, Kurteshi është përgjigjur me fjalët: “Ju jeni media kriminale, të vrasësve me pagesë.”
AGK-ja e konsideron këtë deklaratë si të papërgjegjshme, të papranueshme dhe të rrezikshme. Akuza e tillë, e paprecedent ndaj një medie, nga një zyrtar i lartë i partisë në pushtet, jo vetëm që cenon lirinë e shtypit, por rrezikon edhe sigurinë e gazetarëve.
Për më tepër, Kurteshi ka përdorur edhe gjuhë seksiste, duke i thënë gazetares “ta hangsha loçkën”, një shprehje e padenjë dhe e papërshtatshme për çdo komunikim institucional.
AGK-ja i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që urgjentisht të sigurojë që përfaqësuesi i saj në KQZ të mos pengojë punën e gazetarëve dhe të përmbahet nga gjuha fyese dhe kërcënuese ndaj mediave. Sulmet verbale ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe cenojnë seriozisht lirinë e medias në Kosovë.