Kurteshi për AGK-në: Moti është shndërruar në Aleancë të Grupeve Kriminale

Kurteshi për AGK-në: Moti është shndërruar në Aleancë të Grupeve Kriminale

Sami Kurteshi i Lëvizjes Vetëvendosje, pas deklaratës që u komentua shumë në publik për një nga mediat e Kosovës, tash me po të njëjtën gjuhë i është drejtuar edhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, raporton Gazeta Enigma.

“AGK që moti ka pushuar të jetë mbrojtëse e gazetare/ëve”, thotë ai teksa shton se “Që moti është shndërruar në Aleancë të Grupeve Kriminale (AGK)”.

“Viktimizimi i kriminelëve të mbështjellur me velon e “gazetarit”, në mesin e tyre të vrasësve me pagesë të dinjitetit njerëzor, është “lot krokodili”. Kriminelët vrastarë të llojit e sojit të tillë, duke u frikësuar nga hija e tyre e përbindëshme vrastare që shohin në pasqyren mëngjesore, rrezikimin e sojit të tyre e pasqyrojnë te të tjerët. Qëllim dhe shpërfaqje e neveritshme, e pështirë kutërbuese”, ka shkruar Kurteshi në rrjetin “Facebook”.

“Askush, në asnjë rast, nuk i përfillë, ashtu siç kërkojnë me ngulm, e lëre më t’i rrezikojë. Halli i sojit e sorollopit të tyre nuk është as rrezikimi, as pengimi, as “gjuha fyese”, as kërcënimi, as cenimi i “sigurisë së gazetarëve” e as i “lirisë së medias”. Halli i tyre është pikërisht se nuk e durojnë Lirinë e Mendimit ndryshe dhe Lirinë e Shprehjes, monopolin e të cilave e gjakojnë për qëllime kriminale. Brenga e shqetësimi i tyre thelbor është se narracioni i tyre kriminal e vrastar nuk po arrin të krijojë diskurs publik”, thotë Kurteshi.

“Për AGK nuk ka respekt. Poshtë!”. / Gazeta Enigma.



Related Articles