Sot një person ka mbetur i vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur në Viti si pasojë e disa të shtënave me armë zjarri.
Njëri nga të plagosurit po merr trajtim mjekësor në QKUK, konkretisht në emergjencë.
Mjeku kujdestar, Ilir Hasanaj për Klan Kosovën ka thënë se gjendja e pacientit për momentin është stabile, por që i njëjti ka plagë dhe lëndime të rënda.
“Në të dy këmbët është i plagosur. Një plumb është në bark, brenda regjionit të abdomenit. Plumbi ka depërtuar prej kofshës në regjionin e brakut. Është duke u trajtuar me lëngje. Për momentin është stabil, por vazhdojmë më tutje”.
Ai po ashtu bën me dije se tek 30 vjeçari ende nuk është bërë ndonjë ndërhyrje kirurgjike, sepse fillimisht do t’i bëhet një kontroll paraprak për të parë nëse është i nevojshëm intervenimi në abdomen.
Kjo meqë sipas tij, rreziku më i madh është në këtë pjesë të trupit të pacientit.