Haradinaj: Babai i Thaçit, viktima e fundit e presionit psikologjik nga Gjykata Speciale

Haradinaj: Babai i Thaçit, viktima e fundit e presionit psikologjik nga Gjykata Speciale

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, e ka quajtur të padrejtë vendimin e Gjykatës Speciale për të mos lejuar Hashim Thaçin të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.

Ai ka akuzuar gjykatën për qasje selektive dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

“Për mua ka qenë e pritshme, janë shumë lot tjerë që janë derdhur. Babai i Thaçit sot është viktima e fundit e kësaj gjykate, e them me gjithë gojën se është viktimë e presionit psikologjik, por nuk e di a do të jetë rasti i fundit. Njerëzve duhet t’u hapen sytë dhe ta shikojnë drejtë këtë gjykatë, ku ka qëllimin dhe ku do të shkojë,” ka deklaruar Haradinaj në Debat Plus.

Tutje theksoi se ky vendim tregon fytyrën e vërtetë të Gjykatës Speciale dhe u bëri thirrje shteteve që e financojnë atë të reflektojnë mbi veprimet e saj.

Haradinaj kritikoi ashpër qasjen e Gjykatës Speciale ndaj të akuzuarve dhe paralajmëroi se ky nuk do të jetë rasti i fundit që do të hapë sytë e opinionit për, siç tha ai, drejtësinë selektive që po ushtrohet ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Kjo gjykatë thirret në drejtësi me padrejtësi, është selektive dhe shkel të gjitha normat legjitime për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ajo po sfidon Kosovën dhe po tregon se bën çfarë të dojë. Këtë duhet ta shohin ndryshe vetë drejtësia dhe shtetet financuese të saj. Kjo gjykatë ka filluar të demolojë vetveten, të heqë maskën dhe të turpërojë edhe ato shtete që e mbështesin,” deklaroi Haradinaj.

Related Articles