BE-ja me udhëzime për qytetarët në rast fatkeqësie ose sulmi

BE-ja me udhëzime për qytetarët në rast fatkeqësie ose sulmi

Njerëzit në Bashkimin Evropian po këshillohen që të grumbullojnë mjaftueshëm ushqim, ujë dhe gjëra esenciale për 72 orë, si pjesë e një strategjie evropiane që synon të rrisë gatishmërinë për përmbytje dhe zjarre katastrofike, pandemi dhe sulme ushtarake.

Komisioni Evropian ka thënë se do që të inkurajojë qytetarët të marrin “masa proaktive për t’u përgatitur për kriza, si zhvillimi i planeve emergjente në shtëpi dhe grumbullimi i furnizimeve esenciale”.

Strategjia pjesërisht u bazua nga planet në Gjermani dhe shtetet nordike, të cilat kanë shpërndarë pamflete me këshilla se çfarë të bëhet në rast të një sulmi ushtarak ose krize tjetër.

Hadja Lahbib, komisionere evropiane për menaxhimin e krizave, ka publikuar pamje ku paraqet një çantë emergjence.

Në të shihet dokumenti identifikues, ushqim i konservuar, ujë, shkrepës, një thikë, para, ilaçe dhe një radio e vogël.

Ajo ka thënë se është në dorë të shteteve anëtare të definojnë se çfarë është e nevojshme për qytetarët e tyre të kenë në çantën e emergjencave, varësisht “nga bazat gjeopolitike dhe gjeostrategjike ku gjenden”.

Related Articles