Prokuroria Themelore e Prishtinës ka dal me një deklaratë për raportimet se një 13-vjeçare në Janjevë të Lipjanit, është dhunuar nga disa persona, raporton Gazeta “Enigma”.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, Prokuroria ka bërë me dije se prokurori kujdestar ka ndërmarrë veprime konkrete hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të rastit në fjalë.
“I njëjti ka autorizuar policinë për grumbullimin e informatave dhe provave lidhur me këtë rast, ka lëshuar urdhëresa për ekzaminime dhe vlerësime të ndryshme, për çka jemi në pritje të rezultateve të tyre. Po ashtu, në prezencë të psikologes, Qendrës për Punë Sociale dhe avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare ka intervistuar të dëmtuarën, gjithashtu janë intervistuar dëshmitarë të tjerë dhe në bazë të dyshimit të bazuar, më 17.06.2021 me aktvendim të njëjtit është ndaluar një (1) person në kohëzgjatje prej 48 orësh, për veprën penale “Dhunimi”, nga neni 227 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në gjykatën kompetente, ku me vendim të gjykatës i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh dhe akoma qëndron nën këtë masë”, thuhet në njoftim.