Ekspedita e xhudistëve të Kosovës, në krye me trajnerin Driton Kuka, është nisur për Tokyo të Japonisë ku do të marrë pjesë në Lojrat Olimpike ‘Tokyo 2020’. Grupi tjetër pritet të niset ditëve në vijim, ka thënë kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi.
Sipas kreut të KOK-ut, ekspedita e sportistëve pjesëmarrës, gjëgjësisht xhudistëve, ka udhëtuar e ndarë nga grupi tjetër I sportistëve për shkak se të tilla janë rregullat e parapara për akomodim nga ana e organizatorit nikoqir, dhe se nuk ka të bëjë me ndonjë arsye tjetër të presupozuar.
“Xhudo është sporti që zhvillon aktivitetet garuese e para nga të gjitha sportet tjera, prandaj xhudistët kanë rregulla strikte akomodimi. Ndërsa, defileu i sportistëve tanë në hapje të Lojrave Olimpike, do të bëhet sipas programit të paraparë, ku do të jenë të pranishëm të gjithë njëmbëdhjetë sportistët e Kosovës, pjesëmarrës në LO Tokyo 2020”, ka thënë Krasniqi për GazetaEnigma.
Kreu i KOK-ut më tej ka sqaruar se kufizimet, ashtu sic janë proklamuar paraprakisht për shkak të pandemisë, këtë vit do të jenë tepër strikte sa i përket pjesëmarrjes së përfaqësuesve të komiteteve nga mbarë bota, dhe se përvec sportistëve të rralla do të jenë rastet kur do të kenë mundësi të udhëtojnë zyrtarë apo përfaqësues tjerë të shteteve të ndryshme.
Kujtojmë që ditë më parë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka dorëzuar flamurin e Kosovës ekipit olimpik, që prej 23 korrik deri më 8 gusht 2021 do të përfaqësojë vendin tonë në Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Në emër të ekipit olimpik që përbëhet prej 11 sportistëve, flamurin e ka pranuar medalistja e artë nga LO Rio de Janeiro, kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi.