Inspektorati Policor i Kosovës sot ka njoftuar se ka arrestuar një zyrtar policor, i cili është i angazhuar në policinë kufitare – Stacionin e Policisë Kufitare në Glloboçicë, nën dyshimet se ka ushtruar dhunë ndaj një të mituri, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas këtij njoftimi polici i dyshuar, jashtë detyrës zyrtare, e ka sulmuar viktimën, me ç’ rast të njëjtit i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore.
“Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor cili ishte i angazhuar në policinë kufitare – Stacionin e Policisë Kufitare në Glloboçicë. Hetuesit e IPK-së kishin pranuar informacione dje ku dyshohej se ky zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare ka ushtruar dhunë fizike ndaj një qytetari të moshës së mitur me ç’ rast të njëjtit i janë shkaktuar lëndime të lehta trupore”, thuhet në njoftimin e tyre.
Tutje “IPK-ja ka ndërmarrë veprime paraprake hetimore në konsultim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj pas të cilave ka dyshim të arsyeshëm që zyrtari policor ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor””.
“Zyrtari i dyshuar është arrestuar dhe me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Në përputhje me kompetencat ligjore dhe në interes të hetimit penal, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për këtë zyrtar policor përderisa veprimet tjera hetimore do të ndërmerren në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj”, thuhet në komunkatën e IPK-së për media. /Gazeta Enigma/