Avdi Hoti zgjidhet kryetar i Sindikatës së Policisë

Avdi Hoti zgjidhet kryetar i Sindikatës së Policisë

Avdi Hoti u zgjodh me shumicë votash si kryetar i ri i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ndërsa Edita Azemi mori besimin e delegatëve për pozitën e nënkryetares në ambientet e Stacionit Policor “Qendra” në Prishtinë të shtunën ku u mbajt me sukses Kuvendi i V-të Zgjedhor.

Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura (BSPK), Atdhe Hykolli, vlerësoi rolin kyç të Sindikatës së Policisë në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të pjesëtarëve të saj, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të një ambienti të sigurt, profesional dhe dinjitoz për të gjithë punonjësit e rendit.

Duke iu drejtuar delegatëve dhe të pranishmëve, kryetari i zgjedhur, Avdi Hoti, shprehu mirënjohje për besimin e dhënë dhe theksoi se ky Kuvend është një dëshmi e qartë e demokracisë së brendshme sindikale dhe përkushtimit të palëkundur ndaj mirëqenies së punonjësve të Policisë së Kosovës.

“Jemi të vetëdijshëm për sfidat që prekin jo vetëm aspektin profesional, por edhe atë social dhe ekonomik të punonjësve të policisë. Megjithatë, përmes organizimit dhe fuqizimit të zërit sindikal, do të angazhohemi me përkushtim për realizimin e kërkesave të drejta të tyre”, theksoi Hoti, sipas njoftimit të Sindikatës.

“Kuvendi u mbyll në një atmosferë uniteti dhe bashkëpunimi, me urime për punë të mbarë dhe sukses të vazhdueshëm për organet e reja drejtuese në misionin e tyre fisnik për përfaqësimin dhe mbrojtjen e dinjitetit të Policisë së Kosovës”, vijon njoftimi.

Hoti do ta zëvendësojë Izmir Zeqrin.

Related Articles