Policia e Shtetit ka bërë të ditur zyrtarisht se e ka identifikuar autorin e dyshuar për plagosjen e pesëfishtë në Laç të Shqipërisë.
PSh-ja ka shtuar se janë duke punuar në lokalizimin e të dyshuarit dhe në kapjen e tij.
Një armë zjarri e tipit pistoletë është gjetur pak metra larg vendit ku ndodhi plagosja e pesëfishtë. Arma u zbulua e braktisur në kantierin e një pallati në ndërtim dhe dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit që ndodhi këtë të shtunë, ku mbetën të plagosur katër të rinj dhe një grua që po shiste në rrugë e cila nuk kishte lidhje me ngjarjen.
Euronews Albania shkruan se sipas informacionit paraprak, ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 në zonën pranë ish-Gjykatës së Kurbinit, pas një konflikti verbal dhe fizik mes disa personave. Konflikti përshkallëzoi në përdorim të armëve të zjarrit, duke lënë të plagosur Amarildo Ndoj, Liridon Ismaili, Daniel Gjeloshi dhe Geri Bitri. Po ashtu, u plagos dhe Angjelina Gjezaj, 58 vjeçe, një shitëse ambulante që ndodhej pranë vendit të ngjarjes.
Të plagosurit u transportuan menjëherë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po marrin ndihmën e specializuar mjekësore