Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar pas raportimeve se në kontratën e Qeverisë për fabrikën për mbetjet e kafshëve, qëndron një kompani nga Serbia.
Peci tha se në asnjë shpallje publike, “pavarësisht që nuk është serb njëri nga aksionarët, eliminimi i dikujt mbi bazën e përkatësisë etnike ose të shtetësisë do të përbënte qasje raciste, shkelje ligjore dhe vepër penale”.
“Nëse në vend të Muhamer Ragipoviq aksionari do ta kishte emrin Muhamed Ragipi, shqiptar i Luginës por shtetas i Serbisë, a do të kishte raportimi të njejtin titull, insinuate dhe jehonë?, pyeti Peci. “Jo”, u përgjigj vetë ai.
“Atëherë pse gjithë kjo zhurmë për një boshnjak/musliman nga Novi Pazari?”, deklaroi tutje Peci.
Ministri në Detyrë tha se Qeveria e Kosovës i ka dhënë për interes publik fabrikën për trajtimin e mbetjeve shtazore një konsorciumi italiano-kosovar!
“Tash, kanë filluar të pavërtetat rreth shtetësive të aksionarëve! Qeveria e Kosovës, ka dhënë për shfrytëzim fabrikën në fjalë, një konzorciumi italiano-kosovar. Nuk është as në dorë të Ministrit e as të Ministrisë/Agjencisë që të jetë në rrjedha e të pretendojë të kontrollojë se kush kujt i shet apo i blen aksione në marrëdhënie kontraktuale”, shkroi Peci në një postim në Facebook.
“Sfidojmë gazetarinë hulumtuese e cila është shumë e nevojshme në të tilla raste, që të gjejë se ku qëndron shkelja në procedurë të dhënies me qira dhe funksionalizimit të fabrikës”, tha Peci, pas hulumtimit të publikuar nga Kallxo.com.
“Procesi i regjistrimit në ARBK kërkon përfaqësues të kompanisë/konzorciumit, por nuk ka bazë ligjore që të kërkohet të dihet edhe nacionaliteti i aksionarëve të kompanisë/konzorciumit që regjistrohet”.
“Gjithashtu, të njëjtët le ta gjejnë bazën ligjore e cila mundëson eleminimin e konkurrencës në proces të shit-blerjes së aksioneve, për arsye të shtetësisë së një aksionari apo një tjetri”, deklaroi tutje Peci.