Komuna e Prishtinës ka filluar me largimin e mbeturinave, pasi ndërmarrja “Pastrimi” njoftoi se ka ndalur shërbimet për shkak të krizës financiare.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka theksuar se po vazhdon pastrimi i kryeqytetit në të gjitha drejtimet.
“Faleminderit ekipeve të përkushtuara që po punojnë pa pushim për ta bërë të mundur këtë proces, ndërsa ekspozohet sabotimi i organizuar nga ndërmarrja ‘Pastrimi’! Sabotazha nuk kalon”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ndryshe, për shkak të krizës financiare të shkaktuar nga mos pagesa e borxheve nga ana e qytetarëve Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” njofton se është detyruar të ndërpresë grumbullimin e mbeturinave.
Në njoftimin e Kompania Rajonale e Mbeturinave PASTRIMI SH.A. thuhet se “për shkak të mospagesës së borxhit nga Komuna e Prishtinës në vlerë prej 2.7 milionë euro, është e detyruar të ndërpresë ofrimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në territorin e Komunës së Prishtinës”.
“Për më shumë se pesë muaj, Komuna nuk ka përmbushur obligimet financiare ndaj kompanisë, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme dhe paralajmërimeve të përsëritura. Kjo situatë e ka bërë të pamundur mbulimin e kostove operative dhe vazhdimin e normal të ofrimit të shërbimeve”, thuhet në njoftimin e “Pastrimit”.