Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar të premten se një takim mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe atij amerikan, Donald Trump, është i domosdoshëm – por duhet të paraprihet nga përgatitje të mirëfillta dhe të sjellë rezultate konkrete.
Deklaratat e tij erdhën si përgjigje ndaj komenteve të Trump, i cili më herët gjatë ditës kishte thënë se do të takohej me Putinin “sa më shpejtë të jetë e mundur”.
“Një takim i tillë është natyrisht i nevojshëm. Është i nevojshëm si nga pikëpamja e marrëdhënieve dypalëshe Rusi-SHBA, ashtu edhe nga pikëpamja e zhvillimit të një bisedimi në nivelin më të lartë mbi çështjet ndërkombëtare dhe problemet rajonale, përfshirë, natyrisht, krizën në Ukrainë”, tha Peskov.
Ai shtoi se për realizimin e një takimi të tillë duhen përgatitje të duhura dhe theksoi se për momentin ekipi rus është në kontakt të vazhdueshëm me presidentin Putin në lidhje me zhvillimet e fundit.
“Një takim i tillë është thelbësor, por nevojiten përgatitje paraprake, si dhe duhet të prodhojë rezultate kur të ndodhë”, shtoi Peskov.
Zhvillimi vjen në kohën kur në Stamboll po zhvillohen bisedime diplomatike dhe pritet intensifikim i përpjekjeve ndërkombëtare për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.