Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se nuk do të kandidojë përsëri për president, raporton BBC në gjuhën turke.
Sipas tij, Turqia ka nevojë për një Kushtetutë të re, e cila pasqyron frymën e kohës moderne dhe vlerat demokratike.
“Nuk kam asnjë qëllim të kandidoj sërish. Qëllimi ynë i vetëm është të rrisim reputacionin e vendit tonë. Turqia po ndryshon, bota po ndryshon. A mendoni se në një botë kaq dinamike mund të ecim përpara me një Kushtetutë të krijuar në kohën e grusht shtetit, që ende mban erën e mentalitetit të puçistëve? Turqia nuk mund të ecë më me një Kushtetutë të tillë. Na duhet një Kushtetutë e propozuar nga civilët, jo nga puçistët”, ka deklaruar Erdogan pas kthimit nga Hungaria.
Erdogani prej kohësh ka qenë mbështetës i hartimit të një Kushtetute të re, për të cilën thotë se do të jetë më demokratike, më civile dhe në përputhje me nevojat bashkëkohore të shoqërisë.
Kushtetuta aktuale e Turqisë u miratua në vitin 1982, pas grusht shtetit ushtarak të vitit 1980, dhe megjithëse është ndryshuar disa herë, kritikët thonë se ajo ende përmban elemente të një sistemi autoritar dhe logjikë puçiste.