Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës ka reaguar pas lajmit që u publikua në media për vdekjen e dyshimtë të një gruaje 40-vjeçare në një objekt në ndërtim e sipër në ndërtesën e kësaj qendre, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas SHSKUK-së e ndjera ishte duke marrë trajtim në Klinikën e Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ttutje ata kanë theksuar se pacientja ishte e hospitalizuar në repartin e hapur të kësaj klinike, ku në këtë repart, sipas njoftimit, pacientët nuk mbahen të izoluar dhe lejohet dalja jashtë, në përputhje me protokollet mjekësore dhe të drejtat e pacientëve.
“Menaxhmenti i QKUK-së, pasi ka pranuar informatën ka kërkuar raport të detajuar nga drejtoria e Klinikës së Psikiatrisë. Aktualisht kanë nisur procedurat për shqyrtimin e plotë të rrethanave të këtij rasti. QKUK siguron opinionin publik se do të ndërmerret çdo masë në përputhje me gjetjet nga raporti zyrtar”, thuhet në njoftim.
“Po ashtu do të ndërmerret çdo veprim me qëllim të parandalimit të rasteve të ngjashme dhe përmirësimit të mëtejmë të shërbimeve psikiatrike”. /Gazeta Enigma/