Ish-trajneri i Bayer Leverkusenit, Xabi Alonso është bërë edhe zyrtarisht trajner i ri i Real Madridit.
Ish-futbollisti i njohur spanjoll i ka dhënë edhe fjalët e para si trajner i ri i “Los Blancos”, ndërsa u shpreh entuziast për eksperiencën e re.
“Mirdita të gjithëve. Pa dyshim, për mua kjo është një ditë mjaft speciale, një ditë që do ta shënoj në kalendari për krejt jetën time. Jam vërtetë i lumtur që jam këtu, në atë që e konsideroj si shtëpinë time. Lidhja me Real Madridin nuk është zbehur kurrë. Që kur kam hyrë në Valdebebas një orë e gjysmë më parë, ajo ndjenjë është rilindur tek unë”, deklaroi fillimisht Alonso në prezantimin e tij.
“E kam ndjenjën se ky është një fillim i një epoke të re. Florentino, të falënderoj sinqerisht për krejt besimin që ma dhe. Besoj se tifozët e Real Madridit janë entuziastë për ta përqafuar këtë fazë të re, që të rritemi dhe ta bëjmë historinë e këtij klubi edhe më të madhe. Një falënderim i madh shkon edhe për familjen time, e cila gjithmonë është në krahun tim”, nënvizoi tutje ai.