Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shkruar për nder të Ditës së Fëmijëve, e cila shënohet më 1 qershor, duke thënë se “shoqëria bëhet më e mirë atëherë kur fëmijët janë motivi i të rriturve”.
“Kur e ardhmja që ata janë, nuk trajtohet si diçka e largët që na pret, por si e përditshmja për të cilën kujdesemi dhe përgatitemi. Jo vetëm si prindër e familjarë, por edhe si shtet e qeveri. Për lumturinë dhe harenë që na japin pamasë, u detyrohemi dashuri dhe mbështetje pa kushte”, shkroi Kurti në një postim në Facebook.
Kurti nuk la pa e lëvduar mandatin e tij katër-vjeçar, duke thënë se “dora e shtetit asnjëherë nuk ka qenë më pranë tyre”.
“I gëzohemi shumë faktit që politika jonë në nivel qendror për shtesa për fëmijë dhe nëna lehona po adaptohet edhe nga komunat në nivel lokal. Fëmijët tanë kanë nevojë për të ndjerë dorën e shtetit, e dora e shtetit asnjëherë nuk ka qenë më pranë tyre. Le të punojmë bashkë e edhe më fortë që fëmijëve në mbarë vendin t’ua ndërtojmë të ardhmen që ata e meritojnë; të kujdesemi që çdo fëmijë të ketë shtratin e butë e shtëpinë e sigurt, ushqimin e mirë, shkollimin cilësor, të drejtat që u respektohen dhe mundësitë e barabarta”, u shpreh Kurti.
“Urime 1 Qershori, Dita e Fëmijëve – edhe pse çdo ditë është ditë e tyre!”, shtoi ai në fund. /Gazeta Enigma