Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka propozuar një Këshill Ndërpartika për ta “shpëtuar” Kosovën nga kaosi politik, raporton Gazeta “Enigma”.
Musliu përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se në kaos, shumë gjëra mund të lulëzojnë, vetëm qytetarët jo.
Ajo shkroi se sistemi është shndërruar në kaos nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili sipas saj ka mungesë të vizionit politik. Ndër tjerash, Musliu potencoi se politika nuk është lojë sloganesh.
“Inatet e Albinit, së bashku me mungesën e vizionit politik, shpërfaqin pasojat më të shëmtuara të mungesës së konsensusit politik kombëtar. Situata e krijuar po nxjerr në pah se edhe në një demokraci parlamentare, një person mund t’i mbajë peng të gjitha institucionet demokratike duke e bllokuar kështu politikën e Kosovës në një cikël populizmi dhe improvizimi”, shkroi ajo.