Vende anembanë botës po reagojnë për sulmet izraelite ndaj Iranit, me disa që shprehin alarm dhe të tjerë që e kritikojnë këtë veprim.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, i ka kërkuar Iranit dhe Izraelit të “tërhiqen dhe të ulin tensionet urgjentisht”, duke i quajtur sulmet “shqetësuese”. “Përshkallëzimi nuk i shërben askujt në rajon”, thotë ai.
“Stabiliteti në Lindjen e Mesme duhet të jetë përparësi dhe ne po angazhojmë partnerë për të ulur tensionin. Tani është koha për përmbajtje, qetësi dhe një kthim në diplomaci.”
Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite dënoi fuqishëm këtë sulm duke thënë se “agresioni flagrant izraelit” minon “sovranitetin dhe sigurinë e Iranit dhe përbën një shkelje të qartë të ligjeve dhe normave ndërkombëtare”, shkruan CNN.
Ambasada e Kinës në Iran e quajti situatën në vend “të rëndë dhe komplekse”, duke u bërë thirrje qytetarëve kinezë në vend të monitorojnë nga afër zhvillimet dhe të rrisin masat e tyre të sigurisë, duke përfshirë shmangien e zonave të ndjeshme ose të mbushura me njerëz.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka thënë se Amerika nuk është e përfshirë në sulmet e Izraelit, duke shtuar në një deklaratë se “prioriteti ynë kryesor është mbrojtja e forcave amerikane në rajon”.
Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, tha se Canberra ishte “e alarmuar nga përshkallëzimi midis Izraelit dhe Iranit”. Ajo i bëri thirrje të gjitha palëve të prioritizojnë dialogun dhe diplomacinë.
Sakaq kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, në mënyrë të ngjashme i quajti sulmet “një zhvillim të padëshiruar në Lindjen e Mesme”, duke paralajmëruar se “rreziku i llogaritjeve të gabuara është i lartë”. Negociatat bërthamore SHBA-Iran që ishin planifikuar të dielën në Oman shihen si “rruga më e mirë përpara”, tha Luxon – megjithëse tani nuk është e qartë nëse bisedimet do të vazhdojnë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, “dënoi çdo përshkallëzim ushtarak në Lindjen e Mesme”, tha një zëdhënës i shefit të OKB-së në një deklaratë të raportuar nga Reuters. Guterres u bëri thirrje të dyja palëve të përmbahen.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indisë, Randhir Jaiswal, tha se vendi po “monitoronte nga afër situatën, duke përfshirë raportet që lidhen me sulmet në vendet bërthamore”, dhe i bëri thirrje të dyja palëve të shmangin përshkallëzimin. Ai tha se India kishte marrëdhënie “të ngushta dhe miqësore” si me Izraelin ashtu edhe me Iranin. /klankosova.tv