Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Gjeneral Brigade Effie Defrin, ka thënë se Irani ka nisur “përafërsisht 100 dronë drejt territorit izraelit”, për të cilin ai tha se po punohet për t’i penguar.
Defrin-i shtoi se nga sulmet izraelite gjatë natës së kaluar në Iran janë vrarë komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë iraniane, komandanti i Rojave Revolucionare dhe komandanti i komandës urgjente, raporton televizioni BBC.
Mediat shtetërore të Iranit gjithashtu raportuan më parë se ishte vrarë komandanti i Rojave Revolucionare, Hossein Salami.
Ndërkohë në Izrael është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, u bëri thirrje Iranit dhe Izraelit që “të tërhiqen dhe t’i ulin tensionet urgjentisht”, duke i quajtur “shqetësuese” sulmet e kryera deri më tani.
“Eskalimi nuk i shërben askujt në rajon. Stabiliteti në Lindjen e Mesme duhet të jetë prioriteti dhe ne do të angazhohemi me partnerët për depërshkallëzim. Tani është koha për përmbajtje, qetësi dhe kthim te diplomacia” – tha ai.