Ambasadorja shqiptare në Izrael, Meri Kumbe, ka dhënë një pasqyrë të situatës së tensionuar në vend pas përshkallëzimit të konfliktit midis Izraelit dhe Iranit.
Në një intervistë për Euronews Albania, ajo tha se që prej orës 3 të mëngjesit të ditës së djeshme, ambasada shqiptare ka qenë në gatishmëri të plotë dhe ka marrë masa të rrepta sigurie, duke punuar nga shtëpitë dhe qëndruar pranë dhomave të sigurisë.
Kumbe theksoi se shërbimet në Izrael janë të kufizuara, ndërsa pesë qytetarë shqiptarë që ndodhen atje janë udhëzuar të qëndrojnë të mbyllur pranë dhomave të sigurisë. Ajo shtoi se ambasada dhe Ministria e Punëve të Jashtme në Tiranë janë në kontakt të vazhdueshëm me shqiptarët në Izrael për të siguruar asistencën e nevojshme.
“Situata është ende një proces në vazhdim,” tha ambasadorja, duke cituar fjalët e kryeministrit izraelit se “është një luftë dhe nuk është një sulm momenti.” Ajo theksoi se prioritet mbetet sigurimi i informacioneve në kohë reale për qytetarët shqiptarë në Izrael dhe organizimi i mundshëm i largimit të tyre, nëse situata do ta kërkojë.