Prokuroria Speciale lëshon urdhërarrest ndaj Radojçiqit dhe 10 të tjerëve

Prokuroria Speciale lëshon urdhërarrest ndaj Radojçiqit dhe 10 të tjerëve

Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar letër-rreshtim ndaj Millan Radoiçiqit, lidhur me rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat veriore, në vitin 2022.

Në një përgjigje, zëdhënësja Arbnora Luta, tha për Gazetën “Enigma” se përveç Radoiçiqit PSRK-ja ka lëshuar urdhërarrest edhe ndaj 10 personave tjerë të dyshuar në këtë rast.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, respektivisht prokurorit të rastit për lëshimin e letër-rreshtimit vendor dhe atij ndërkombëtar ndaj Milan Radojiçiq. Urdhërarresti është lëshuar në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u ndërmarrë në rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat veriore në vitin 2022. Përveç Radojiçiq, PSRK-ja ka lëshuar urdhërarrest edhe ndaj 10 personave tjerë të dyshuar në këtë rast”, thuhet në njoftim.

Tutje në përgjigje, ajo shtoi se janë duke u hetuar rreth 50 persona, për veprat penale: pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, thirrje për rezistencë dhe bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese.

“Ndërsa për veprimet tjera publiku do të njoftohet në kohë, pasi duke pasur parasysh se rasti është në fazën e hetimeve, aktualisht nuk mund të ndajmë më shumë informacione”.

Related Articles