Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të ishte e vështirë t’i kërkonte Izraelit të ndalë sulmet ajrore kundër Iranit, edhe pse SHBA po përpiqet të gjejë një zgjidhje diplomatike për përfundimin e konfliktit.
“Është shumë e vështirë të bësh një kërkesë të tillë kur dikush po fiton,” tha Trump për gazetarët në New Jersey, ku pritet të marrë pjesë në një mbrëmje fondmbledhëse në klubin e tij të golfit.
Ai përsëriti se situata e krijuar në terren e bën të vështirë ndalimin e operacioneve izraelite:
“Është e vështirë të ndalosh, kur shikon se Izraeli po e bën mirë në këtë luftë. Do të thoje se Irani po kalon më keq, prandaj është e vështirë t’i thuash dikujt të ndalojë.”
Trump gjithashtu kritikoi përpjekjet e Evropës për të angazhuar Iranin në mënyrë diplomatike, duke thënë se ato nuk kanë pasur ndonjë ndikim.
“Ata nuk ndihmuan. Irani nuk dëshiron të flasë me Evropën. Ata duan të flasin me ne. Evropa nuk do të mund të ndihmojë në këtë rast,” u shpreh ai.