Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, e ka quajtur “përdhosës së institucioneve” kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës pasi po ushtron pozitën ekzekutive edhe pse është betuar si deputet.
“Në zgjedhjet e fundit nuk kemi fitues që i ka numrat ta bëjë Qeverinë vetë. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje ende po sillen me logjikën e votës së vitit 2021, si në Kuvend ashtu edhe në institucione”, ka thënë Bajrami në KTV, duke iu përgjigjur deklaratës së Kurtit, i cili gjatë ditës së sotme ka ironizuar me opozitën duke thënë se ajo po ia zgjat mandatin në qeveri.
Sipas Bajramit, qëndrimi i Kurtit në pushtet është antikushtetues.
“Neni 72 i Kushtetutës sanksionon që një deputet që ka dhënë betimin dhe mban pozitë ekzekutive nuk mund të qëndrojë në të dyja. Në këtë mënyrë, Kurti është në pushtet në mënyrë krejtësisht jokushtetuese”, theksoi deputetja e LDK-së.
Ajo shtoi se LDK-ja është treguar e përgjegjshme dhe ka propozuar një qeveri transitore, por ka akuzuar Vetëvendosjen për bllokim të procesit, veçanërisht për insistimin në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
“Jemi lodhur duke ia lëshuar rrugën Albin Kurtit dhe ai, në vend se të tregojë përgjegjësi, vazhdon të jetë shkelës i Kushtetutës, i ligjeve dhe përdhosës i institucioneve të Kosovës”, u shpreh Bajrami.
Konstituimi i Kuvendit ka dështuar 36 herë radhazi, çka ka lënë vendin pa institucione të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.