Gjykata Komerciale e Kosovës ka konfirmuar se ka në shqyrtim dhjetë padi të ushtruara kundër Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për çështjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.
Aktualisht, kjo gjykatë ka marrë vendime për katër prej këtyre rasteve, por nuk ka dhënë detaje mbi përmbajtjen e vendimeve deri në pranimin e dëshmive nga palët në procedurë. “Gjykata Komerciale e Kosovës, përkatësisht Departamenti për Çështje Administrative, ka të evidentuara dhjetë (10) lëndë të kësaj natyre. Gjykata deri në këto momente ka vendosur në katër (4) raste, megjithatë nuk mund të konfirmojmë për media mënyrën e vendosjes, deri në pranimin e dëshmisë / flete kthesës për pranimin e vendimeve nga ana e palëve në procedurë,” ka thënë gjykata.
Nga ana tjetër, Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se janë edhe qindra biznese që po përpilojnë paditë e tyre individuale kundër ZRrE-së. Kryetari i Odës, Lulzim Rafuna, theksoi se, për shkak të pamundësisë ligjore për të ngritur padi në emër të të gjitha bizneseve, Oda po iu ofron ndihmë atyre në ngritjen e padive individuale. Rafuna i ka bërë thirrje 1300 bizneseve të cilat janë të ndikuara nga ky proces, që të ndërmarrin hapa ligjor për të kundërshtuar liberalizimin e tregut të energjisë.
Ai gjithashtu e kritikoi ZRrE-në për paralajmërimin e mundshëm të ankimit të vendimeve të Gjykatës Komerciale. Sipas tij, ky veprim është inatçor dhe jo profesional. “Vendimi i gjykatës në rastin e një kompanie individuale nga ZRrE-ja, ish dashtë të përdorët si precedan, si analogji për të gjithë të tjerët. Nuk ka logjikë për një biznes të pezullohet tregu i hapur ndërsa për tjetrin të veprohet ndryshe. Veprimi i ZRrE-së ishte inatçor dhe jo profesional, sepse kjo nuk është çështje personale,” tha Rafuna.