Parlamenti i Iranit voton për pezullimin e bashkëpunimit me agjencinë bërthamore të OKB-së

Parlamenti i Iranit voton për pezullimin e bashkëpunimit me agjencinë bërthamore të OKB-së

Ligjvënësit iranianë votuan me shumicë dërrmuese për të pezulluar bashkëpunimin e Teheranit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), pas bombardimeve ndaj objekteve bërthamore të Iranit gjatë fundjavës, në kuadër të konfliktit 12-ditor me Izraelin.

Projektligji, i cili sipas mediave shtetërore u miratua më 25 qershor me 221 vota pro dhe asnjë kundër, duhet ende të miratohet nga Këshilli i Gardës – organi që vlerëson përputhshmërinë me Kushtetutën.

Vendimin përfundimtar për zbatimin e tij e merr Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare (SNSC).

Ky këshill, në aspektin formal, drejtohet nga presidenti, por si të gjitha institucionet kyçe shtetërore në Iran, përgjigjet drejtpërdrejt para udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Izraeli kreu një sulm të paprecedentë më 13 qershor ndaj objekteve kyçe bërthamore dhe ushtarake të Iranit, si dhe ndaj zonave të banuara – gjë që nxiti reagimin e Iranit, po ashtu, me sulme.

Lufta mori dhjetëra jetë civile nga të dyja palët, ndërsa më 24 qershor u arrit një armëpushim i brishtë me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.

Më 21 qershor, Shtetet e Bashkuara goditën tri objekte bërthamore në Fordo, Natanz dhe Isfahan.

“Në dritën e shkeljes së sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial të Republikës Islamike të Iranit nga regjimi zionist dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në lidhje me objektet bërthamore paqësore të vendit, si dhe duke vënë në rrezik interesat madhore të Republikës Islamike të Iranit… Qeveria obligohet që menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, të pezullojë të gjithë bashkëpunimin me IAEA-n në kuadër të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) dhe marrëveshjeve përkatëse”, thuhet në tekstin e projektligjit.

Nëse miratohet, ky ligj do ta kushtëzojë heqjen e pezullimit me ofrimin e garancive që objektet bërthamore dhe shkencëtarët iranianë të jenë të sigurt, si dhe me njohjen e së drejtës së Iranit për pasurimin e uraniumit brenda vendit.

Ndër objektivat e sulmeve izraelite ishin edhe shkencëtarët e përfshirë në programin bërthamor iranian.

Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime paqësore dhe se nuk synon zhvillimin e armëve bërthamore.

Pezullimi i bashkëpunimit me IAEA-n nënkupton ndërprerjen e inspektimeve, raporteve dhe aktiviteteve të mbikëqyrjes në kuadër të NPT-së.

Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, kritikoi IAEA-n duke thënë se ajo “as nuk u mundua të dënojë sulmet ndaj objekteve bërthamore të Iranit”, duke e akuzuar se “ka nxjerrë në shitje besueshmërinë e saj ndërkombëtare”.

Teherani prej vitesh e ka akuzuar IAEA-n për anshmëri dhe bashkëpunim me fuqitë perëndimore dhe Izraelin kundër Iranit.

Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi, prej vitesh ka shprehur shqetësim për mungesën e bashkëpunimit të Iranit me agjencinë, veçanërisht në hetimet për disa objekte të padeklaruara bërthamore.

“Organizata e Energjisë Atomike të Iranit do ta pezullojë bashkëpunimin me agjencinë derisa të garantohet siguria e objekteve bërthamore, ndërsa programi bërthamor paqësor i Iranit do të përparojë me ritëm më të shpejtë”, tha Qalibaf, ndërsa ligjvënësit brohorisnin “vdekje Amerikës” dhe “vdekje Izraelit”./REL

Related Articles