Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është deklaruar pas Samitit të NATO’s, duke thënë se ishte “rrugë e gjatë, por që ia vlejti”, shkruan “The Guardian”.
Trump tha se në këtë samit u arritën gjëra të jashtëzakonshme.
Ai lavdëroi organizatorët, Holandën, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, dhe më pas iu rikthye goditjes së fundit “masive” ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
“Ky demonstrim i jashtëzakonshëm i forcës amerikane ka hapur rrugën për paqe, një marrëveshje historike për armëpushim të hënën.”
Ai e përshkroi konfliktin si: “Ne e quajmë Lufta 12-ditore. Fola me disa njerëz, dhe mendoj se thjesht dukej si emri i duhur, ‘lufta 12-ditore’.”
Ndryshe, udhëheqësit e NATO-s janë zotuar të investojnë 5 për qind të Bruto Produktit të Brendshëm çdo vit në shpenzimet e mbrojtjes dhe sigurisë deri në vitin 2035 “për të siguruar që detyrimet individuale dhe kolektive” të përmbushen, sipas tekstit përfundimtar të deklaratës së samitit të Hagës të miratuar në takimin e së mërkurës.
Në deklaratë thuhet se se anëtarët do të paraqesin “plane vjetore” që vërtetojnë “një rrugë të besueshme dhe graduale për të arritur këtë qëllim”, me një shqyrtim më gjithpërfshirës të progresit që do të bëhet në vitin 2029.
Deklarata me pesë pika përfshin gjithashtu “angazhimin e palëkundur të 32 vendeve për mbrojtjen kolektive, siç përcaktohet në Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit – se një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve”.
Dokumenti përfshin po ashtu një rresht që premton mbështetje të mëtejshme për Ukrainën dhe thekson se “siguria e saj kontribuon në tonën”, por nuk dënon drejtpërdrejt Rusinë.
Megjithatë, ai përfshin një rresht të veçantë mbi “kërcënimin afatgjatë që paraqet Rusia për sigurinë euroatlantike”.