Nipi i ish-kancelarit gjerman Kohl bën thirrje për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Nipi i ish-kancelarit gjerman Kohl bën thirrje për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Kosova ka marrë mbështetje të fuqishme në Bundestagun gjerman nga një deputet i ri, i cili në fjalimin e tij të parë para parlamentit nuk e la pa përmendur shtetin më të ri në Evropë.

Bëhet fjalë për deputetin gjerman Johannes Volkmann, nipin e ish-kancelarit të ndjerë Helmut Kohl, i njohur për mbështetjen e tij për Kosovën në periudhën më të vështirë.

Ai ka bërë thirrje që Kosova të njihet nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, si dhe të pranohet në Këshillin e Evropës, gjatë një fjalimi që e mbajti me rastin e votimit për zgjatjen e misionit të ushtrisë gjermane (Bundeswehr) në Kosovë.

Videoja e fjalimit të Volkmann u publikua nga Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili tha se ky moment ka një simbolikë të veçantë për vendin tonë.

“Falemnderit Johannes! Ndërsa fjalimi i fundit i Helmut Kohl në Bundestag ishte më 1 korrik 1999, nipi i tij, Johannes, debutoi dje me fjalimin e tij të parë në Bundestag – dhe atë me një mbështetje të fuqishme për Kosovën, me rastin e votimit për zgjatjen e misionit të Bundeswehr-it në Kosovë. Një fjalim i jashtëzakonshëm, që bën thirrje për njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet e BE-së, anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës, si dhe respektimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë,” ka shkruar Ajeti në Facebook.

Related Articles