Izraeli intensifikon sulmet në Gaza para takimeve në Uashington për armëpushim

Izraeli intensifikon sulmet në Gaza para takimeve në Uashington për armëpushim

Përderisa Shtëpia e Bardhë po përgatitet për një raund të ri bisedimesh për armëpushim në Gaza, Izraeli ka intensifikuar ndjeshëm sulmet ajrore dhe tokësore në veri të enklavës palestineze, duke shënuar një nga netët më të rënda të bombardimeve në javët e fundit.

Sipas Reuters, banorët atje kanë raportuar se gjatë natës, avionët izraelitë kanë goditur shkolla dhe banesa, pas urdhrave për evakuim masiv të lëshuara nga ushtria.

Është bërë e ditur se gjatë sulmeve të natës janë vrarë të paktën 25 persona, ndërsa vala e sulmeve vjen vetëm një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump bëri thirrje për përfundimin e luftës 20-mujore dhe kthimin e pengjeve.

Në të njëjtën kohë, Ron Dermer, ministër i çështjeve strategjike në Izrael dhe bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Netanyahu, pritet të takohet në Shtëpinë e Bardhë për bisedime rreth situatës në Gaza, Iranit dhe marrëveshjeve të mundshme diplomatike në rajon. Në anën tjetër, edhe kabineti i sigurisë i kryeministrit Netantyahu pritet të mblidhet për të diskutuar hapat e ardhshëm në Gaza.

Sipas Reuters, në përpjekje për ndërmjetësim janë edhe Katari dhe Egjipti, megjithatë ende nuk është caktuar ndonjë datë për bisedime.

Kujtojmë se lufta ka nisur me 7 tetor 2023 kur militantë të Hamasit sulmuan Izraelin duke vrarë rreth 1,200 persona, shumica civilë, dhe duke marrë 251 pengje në një sulm të papritur që u bë dita më vdekjeprurëse në historinë e Izraelit.

Related Articles