Refuzimi për shkak të së kaluarës, riintegrimi i të kthyerve nga Siria sfidë për Kosovën

Refuzimi për shkak të së kaluarës, riintegrimi i të kthyerve nga Siria sfidë për Kosovën


Shkroi: Arbresha Berisha

Riintegrimi i tyre përfundoi me kthimin fizik në atdhe.

Pasojat e vendimeve që morën vite e dekada më parë, po i përcjellin edhe sot e kësaj dite një pjesë të kosovarëve që kanë udhëtuar për në Siri e Irak.

Përkundër programeve të realizuara nga qeveria dhe donatorët, një pjesë të ri-kthyerve vazhdojnë të përballem me stigmatizim.

“Nuk dua të ekspozohem. Nuk dua ta rrezikoj vendin ku punoj”, thotë njëri nga të rikthyerit

Programet e rehabilitimit dhe ri-integrimit të zhvilluara nga Ministria e Brendshme nuk i përfshinë të gjithë të ri-kthyerit nga zonat e luftës. Ata që u kthyen vullnetarisht nuk u përfshinë në programe duke e lënë procesin në dorë të komunitetit 

“Vetë jam integruar ngadalë”,  rrëfen një tjetër i ri-kthyer.

Përkundër kësaj, ai tha se jeton me familjen e tij me qera, por që asnjëherë nuk ka marrë ndonjë përkrahje nga shteti.

Para mospërkrahjes dhe frikës për përjashtim të mëtejshëm nga shoqëria, këta persona kanë vendosur të heshtin, mos të kërkojnë më as mbështetje.

Lufta për mbijetesë 

Rrugën për në Siri në vitin 2015 e kishte marrë edhe Ibrahim Fazlija nga Ferizaji me banim në Prishtinë.

Megjithatë udhëtimi i ishte ndërprerë në gjysmë, pasi ishte ndaluar në Turqi, nga ku më pas ishte kthyer në Kosovë.

“Hapin e kam marrë në vitin 2015 për në aeroportin ‘Adem Jashari’ e pastaj për në Ankara. Atje më kanë ndalë hetuesit civil dhe të nesërmen më kanë kthyer. Kam qenë me ish-gruan. Edhe atë edhe mua na kanë futur në qeli në aeroport dhe në mëngjes na kanë kthyer. Kur kam arritur në aeroportin ‘Adem Jashari’ aty kanë dal disa hetues më kanë pyetur dhe më kanë lëshuar, nuk më kanë arrestuar. Pastaj ka filluar gjykimi. Më kanë dënuar në vitin 2018. Kam mbajtur dy vite burg pa asnjë ditë të falur”, rrëfeu ai.

Me të dalë nga burgu, Fazlija tregon se u përjashtua nga shoqëria.

“Prej familjes jam trajtuar mirë. Por kur kam dal nga burgu unë shokë nuk kam pasur, unë as nuk e di se çfarë është me dal me pi kafe me shokë. As nuk e di se çfarë është pushimi me shku me gruan e fëmijët sepse nuk i kemi kushtet. Ma kanë sjell gjendjen shumë të rëndë. Kjo ka ra e unë jam duke u sprovuar rëndë”, tregoi ai.

Ndërsa, punësimi si burim i të ardhurave u bë sfidë e dyfishtë për të.

Fazlija i cili ka 5 fëmijë, e ka të vështirë t’ua sigurojë të njëjtëve kushtet e nevojshme ekonomike.

“Unë kam heq dorë nga puna, duke me përzënë prej punës. Unë nuk jam në punë, por mundohem nga pak të punoj, e kam një motor e dal mbledh gjëra që i hedhin njerëzit dhe i shes në pazar. Gruaja e merr një social nga shteti i cili nuk ka lidhje me mua. Me atë ndihmë dhe me këtë punë nxjerri diçka. Në përgjithësi nuk ka asgjë nga shteti. Kemi aplikuar edhe për shtëpi, andaj kërkesë e imja është që të më ndihmojnë për një shtëpi ose një tokë”, shtoi ai.

Brenda shtëpisë me qera ku jeton familja Fazlija.
Brenda shtëpisë me qera ku jeton familja Fazlija.

Për dallim nga Fazlija, ndihma e shtetit u bë thelbësore që M. A. nga një fshat në zonën e anamoravës.

Në emër të saj avokatja Leonora Dervishaj-Pacolli pranon të rrëfej përvojën e klientes së saj me procesin e ri-socializimint. M. A .kishte shkuar në Siri në vitin 2015, pasi ishte njoftuar me një pjesëtarë të ISIS-it, me të cilin ishte martuar dhe kishte krijuar familje.

E njëjta disa herë kishte kërkuar që të kthehej në Kosovë, por që nuk ishte lejuar nga forcat e ISIS-it, deri më 20 prill të 2019-tës, kur rikthimi i saj u bë i mundshëm.

Me t’u kthyer në vendlindje, avokatja e saj ka treguar se M. A. ka marrë mbështetjen e nevojshme.

“Klientja ime me qëllim të riintegrimit në shoqëri është urdhëruar që në afat prej dy vite e gjashtë muaj t’í nënshtrohet vizitave të rregullta te psikologu ose të këshilluesit e tjerë. Klientja ime ka deklaruar se vullnetarisht ka bërë përpjekjet që të kthehet në Kosovë dhe për këtë është ndaluar disa herë nga pjesëtarët e ISIS-it dhe forcat kurdo. Klientja ime vazhdimisht ka shprehur falënderime për kontributin e shtetit të Kosovës me rastin e kthimit të saj dhe vajzave të saj në Republikën e Kosovës si dhe për kujdesin që kanë treguar institucionet për shëndetin e vajzës së saj të mitur”, ka thënë tutje ajo.

Të dhënat e Policisë së Kosovës flasin për mbi 350 kosovarë që kanë udhëtuar në Siri dhe Irak.

259 prej tyre janë burra, prej të cilëve 133 janë kthyer, 93 janë vrarë apo kanë vdekur, ndërsa 33 vazhdojnë të jenë atje.

52 gra po ashtu kanë udhëtuar për në këto zona, 39 prej të cilave janë kthyer në vend, 5 kanë vdekur apo janë vrarë, ndërsa 8 vazhdojnë të qëndrojnë atje.

Po ashtu, 48 fëmijë sipas të dhënave të policisë kanë udhëtuar për në zonat e konfliktet me prindërit e tyre, ndërsa 87 fëmijë kanë lindur në këto zona. 90 fëmijë janë kthyer në Kosovë, 8 janë raportuar të vrarë apo të vdekur, ndërsa 37 vazhdojnë të qëndrojnë në zonat e konfliktit.

“Institucionet e sigurisë, në bashkëpunim edhe me institucionet tjera, si dhe me prokurorinë speciale, kanë arritur që me mjaft sukses të adresojnë të gjitha kërcënimet e mundshme nga ekstremizmi i dhunshëm. Që nga viti 2013 e deri më tani Policia e Kosovës ka iniciuar hetime kundër më shumë se 500 personave të dyshuar, ndërsa janë arrestuar mbi 240 persona të dyshuar për vepra penale të terrorizmit dhe veprave tjera penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, kanë deklaruar nga Policia e Kosovës.

Roli i institucioneve në riintegrimin e të riatdhesuarve

Qeveria e Kosovës, organizata joqeveritare e partnerë ndërkombëtarë si UNDP, UNICEF kanë ndërmarrë një sërë iniciativash për mbështetje financiare dhe shërbime psikologjike e sociale për këta persona.

Ekzekutivi pati miratuar strategjinë për parandalimin e kësaj dukurie dhe radikalizimit që shpie në terrorizëm.

Strategjia përfshinte informacione mbi aktivitetet parandaluese që do të ndërmerreshin, edukimin e rinisë si dhe bashkëpunimin me aktorë ndërkombëtarë.

Megjithëse nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë patën vlerësuar se moria e një sërë mekanizmave të qeverisë të angazhuar për riatdhesim dhe riintegrim, ka rezultuar në moskoordinim.

E si rrjedhojë, nga kjo qendër patën thënë se ky moskoordinim mund të ketë luajtur rol që këta persona mos të marrin mbështetjen e nevojshme.

Por që ndryshe u shprehën nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga e cila treguan se deri më tani janë organizuar 3 riatdhesime të qytetarëve nga zonat e konfliktit, ku në vitin 2019 janë riatdhesuar 110 qytetarë, duke vazhduar më pas në vitin 2021 me 11 qytetarë dhe në vitin 2022 me 2 qytetarë.

Nga kjo ministri kanë theksuar se 108 nga këta persona kanë fituar grante të ndryshme me qëllim të punësimit ose vetë-punësimit.

“Gjithashtu, kemi 17 familje të riatdhesuara të cilat mbështeten ende me akomodim të përkohshëm. Sa i përket trajnimeve, ne në vazhdimësi u kemi ofruar trajnime të ndryshme këtyre personave, nga ato bazike e deri te ato profesionale, ku për qëllim gjithashtu ka qenë punësimi ose vetë-punësimi i tyre”, citohet tutje zyra për komunikim në MPB.

Ndërkaq në vitin 2018, Ministria e Arsimit pati miratuar një doracak për mësimdhënës për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, përmes të cilit ishte kërkuar që të krijohet një mjedis i sigurt në shkolla për të rinjtë, në mënyrë që ata tí shprehin mendimet dhe shqetësimet e tyre.

“Gjatë vitit 2022 MASHTI në bashkëpunim me partner kemi ofruar programet për mësimdhënës drejtor dhe nxënës. Gjatë vitit 2022 MASHTI ne bashkëpunim me IOM ka ofruar trajnimin për mendim kritik. Trajnimet dhe sesionet informative janë organizuar në të gjitha komunat e Kosovës. Në trajnime janë përfshirë mësimdhënës të arsimit para universitar”, kanë thënë nga Ministria e Arsimit.

Përkundër veprimeve të ndërmarra nga ekzekutivi, pjesëmarrja në luftërat në Siri dhe Irak ndër vite preku shumë komuna në vend.

Raporte të ndryshme theksuan se në rekrutimin e këtyre qytetarëve ndikuan faktorë të ndryshëm si varfëria, mungesa e mundësive për të rinjtë si dhe radikalizimi.

Një nga komunat e prekura nga ky fenomen ishte edhe ajo e Gjilanit.

Deri në vitin 2018, nga kjo komunë për në Siri dhe Irak kishin udhëtuar 17 familje me 45 anëtarë.

Zëdhënësi i Komunës së Gjilanit, Besart Selimi ka treguar se deri më tani i kanë trajtuar 7 familje me 27-29 anëtarë të kthyer nga zonat e luftës në Siri.

“Të gjithë fëmijëve të këtyre familjeve i është mundësuar shkollimi ne shkollat e komunës se Gjilanit.  5 familjeve të kthyera me 22 anëtarë që jetojnë në Gjilan i është paguar qiraja e banimit dhe asistenca sociale, si dhe këto familje kanë qenë të parat në listë që kanë përfituar pako të ndryshme të ndihmave.  Disa prej grave të këtyre familjeve janë aftësuar në Qendrën për Aftësim Profesional si rrobaqepëse por edhe kurse për kompjuter/IT”, deklaroi ai.

Në vitin 2016, Komuna e Gjilanit pati themeluar edhe një mekanizëm referues për trajtimin e terrorizmit dhe radikalizmit.

Veprime në këtë drejtim thanë se kanë ndërmarrë edhe nga Komuna e Hanit të Elezit. 

“Komuna e Hanit të Elezit ka punuar vazhdimisht në parandalim dhe luftim të ekstremizmit të dhunshëm duke trajtuar raste, gjithashtu vlenë të theksohet se jemi komuna e parë që kemi themeluar Mekanizmin për parandalim dhe trajtim të radikalizmit dhe ekstremizmit me qëllim bashkëpunimin e gjithë akterëve për të pasur rezultate sa më të mira. Kkomuna jonë ka trajtuar raste në shumë aspekte si këshillime dhe trajtime psiko-sociale por edhe në bashkëpunim me Departamentin dhe OJQ të ndryshme në subvencione të shumta për tu riintegruar në jetën socio-ekonomike”, ka shtuar drejtori i Qendrës i Qendrës për Punë Sociale në Han të Elezit, Amir Bushi.

Në anën tjetër, rol në riintegrimin e kosovarëve të kthyer nga zonat e luftimeve ka luajtur edhe Bashkësia Islame e Kosovës.

“Kemi ndihmuar me këshilla fëmijët e kthyer nga zonat e konfliktit që ju mungonin prindërit, pasi ata ishin dërguar në vuajtjen e dënimit. Gjithashtu kemi bashkëpunuar me Drejtorinë e Antiterrorizmit në riintegrim të familjeve të kthyera nga konflikti me asistencë materiale në ushqimore dhe veshmbathje, pasi në atë periudhë isha edhe drejtues i humanizmit në BIK. Kemi arritur të kuptojmë dhe të shohim nga afër se Institucionet e Kosovës kanë bërë më së shumti në riintegrimin e personave të tillë, me përjashtime të disa prej tyre që nuk kanë treguar interesim për riintegrim, të tillët janë ata persona që ende mbajnë qëndrime radikale ndaj çdo institucioni qeveritar dhe jo qeveritar të Kosovës”, ka thënë për teologu Fitim Flugaj.

Mbështetja e nevojshme psiko-sociale

Mbështetja psiko-sociale e personave të riatdhesua nga zonat e konfliktit është konsideruar si një ndër hapat më të rëndësishëm drejt rehabilitimit të tyre.

Sipas psikologes klinike, Antigona Qenaj-Sejdiu, kthimi në një realitet të ri kërkon përgatitje emocionale dhe ristrukturim të identitetit.

“Ri-integrimi i personave që janë kthyer nga zonat e luftës si Siria apo Iraku është një proces kompleks që kërkon vëmendje institucionale, sociale dhe profesionale, në veçanti në aspektin psikologjik. Takimet me psikolog dhe trajnimet për risocializim janë jetike për këtë kategori individësh. Pjesëmarrja në zona lufte shpesh shoqërohet me trauma të rënda psikologjike, humbje të mëdha, ekspozim ndaj dhunës ekstreme dhe ndarje nga jeta sociale dhe kulturore që kanë lënë pas”, ka thënë ajo.

Ndërsa, sociologu, Genc Xërxa ka theksuar se stigmatizimi po e vështirëson integrimin social të këtyre personave.

“Nevojitet që edhe shoqëria të jetë më emancipuese, më e hapur dhe empatike ndaj tyre, përpos atyre që ndeshen me ligjin dhe janë bërë haptas pjesë e grupeve të ndryshme terroriste që i ndjek ligji ndërkombëtar, jo vetëm ai domestik. E kjo mund të ndërlikojë ri-integrimin në shoqëri duke e bërë më të vështirë nëse shihen si pjesëtarë vullnetarë të luftërave që u zhvilluan në lindje të mesme. Atyre duhet t’u jepet mundësia për një jetë të dinjitetshme pasi të sqarohen nga detyrimet ligjore”, ka shtuar ai.

Përkundër programeve të financuara nga shteti për riintegrimin dhe de-radikalizimin e këtyre personave, sipas ekspertit të sigurisë, Bedri Elezi, duhet bërë ende shumë punë në këtë drejtim.

“Dyshohej se nuk kanë arritur institucionet e Kosovës të bëjnë mjaftueshëm që fillimisht të njëjtit të distancohen nga veprimet që kanë pasur në Siri dhe Irak dhe të integrohen realisht për mos qenë edhe njëherë persona me rrezikshmëri të lartë.Një pjesë e atyre që kanë qenë në Siri dhe janë kthyer në Kosovë kanë vuajtur dënimet e tyre, por nuk duket që janë integruar mjaftueshëm dhe të njëjtit kanë mund të them pikëpamje ose qëndrime ideologjike të cilat besohet dhe mendohet që janë edhe si rezultat i angazhimeve të fundit që kanë pasur në atë pjesë”, ka thënë Elezi.

E derisa institucionet janë fokusuar në parandalimin dhe rehabilitimin e radikalizimit fetar, po konsiderohet se vendi ka pak kapacitete në trajtimin e formave tjera të radikalizimit.

“Është e domosdoshme që stafi institucional të pajiset me trajnime të përshtatshme për të njohur dhe adresuar format e ndryshme të ekstremizmit, përtej atij fetar, i cili shpesh perceptohet si i vetmi rrezik. Prandaj, ndërtimi i kapaciteteve institucionale mbetet thelbësor për parandalimin dhe rehabilitimin e të gjitha formave të ekstremizmit”, ka deklaruar hulumtuesja në Qendrën Kosova për Studim të Sigurisë, Adelina Hasani.

Përshtatja me realitetin e ri e kthimi në shoqërinë kosovare vazhdon të jetë edhe më tej sfidë për një pjesë të këtyre individëve, të cilët përmes fshehjes së të kaluarës po mundohen të bëhen pjesë e komunitetetit.

Për këtë, është konsideruar si e nevojshme që shoqëria dhe shteti bashkërisht të krijojnë një mjedis ku këta individë të trajtohen me dinjitet dhe të kenë mundësi të barabarta.

(Ky artikull u realizua në kuadër të projektit ‘Komunitet gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Kosovë’ mbështetur nga GCERF dhe zbatuar nga BIRN Kosova)

Related Articles