Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në takimin rajonal të liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, që u mbajt në Shkup të Maqedonisë së Veriut, me temën “Stabiliteti, Uniteti dhe e Ardhmja”.
Kurti kishte udhëtuar për në Shkup që mbrëmjen e kaluar, ku mori pjesë në darkën zyrtare të organizuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Ndërsa të martën, ai ishte pjesë e panelit të parë të diskutimeve mes liderëve të rajonit.
Gjatë fjalës së tij, Kurti vlerësoi Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian si një hap të rëndësishëm drejt përparimit ekonomik dhe integrimit rajonal, duke nënvizuar se ndihma nga BE-ja duhet të jetë e lidhur ngushtë me përkushtimin e vendeve për reforma dhe vlera demokratike.
“Në këtë kuadër, ai kërkoi që Kosovës t’i garantohet qasje e barabartë në programet dhe instrumentet e Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Në vijim, Kurti rikonfirmoi mbështetjen e Kosovës për nismat e Planit të Rritjes, përfshirë turizmin, mbrojtjen e konsumatorit dhe “Autostradën e Tregut të Përbashkët”.
Ai propozoi gjithashtu zgjerimin e bashkëpunimit rajonal në tre sektorë të tjerë: shërbimet digjitale konkurruese (si zhvillimi i softuerëve, siguria kibernetike dhe inteligjenca artificiale), sektorin e mbrojtjes dhe bujqësinë me përpunimin e ushqimit.
“Për këtë nismë, ai shtoi se nearshoring-u duhet të jetë gjithashtu i orientuar drejt partnerëve të besueshëm (friendly shoring), dhe se kjo është një mundësi e madhe jo vetëm për rajonin tonë, por edhe për Bashkimin Evropian.”
Kurti foli edhe për të arriturat që nga takimi i fundit në Kotor, duke përmendur përparimin në disa fusha dhe kryesimin e Kosovës në CEFTA. Ai bëri thirrje për zbatim të marrëveshjeve të arritura në kuadër të Procesit të Berlinit, përfshirë marrëveshjet për njohjen e diplomave dhe lëvizjen e lirë me letërnjoftime.
Sipas tij, pas liberalizimit të vizave për kosovarët, numri i hyrjeve nga qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës në Kosovë është rritur ndjeshëm. Andaj, Kurti kërkoi që qytetarët e Kosovës të kenë të njëjtën liri për të udhëtuar në Bosnje e Hercegovinë.
“Në përmbyllje, kryeministri Kurti theksoi se siguria është parakusht për zhvillim dhe rritje, duke vënë në pah se Ballkani Perëndimor nuk është i shkëputur nga rrafshi gjeopolitik i Evropës. Ai mirëpriti angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të parandaluar Iranin që të pajiset me armë bërthamore, si dhe vendimin e anëtarëve të NATO-s në Samitin e Hagës për të rritur shpenzimet për mbrojtje në 5% të Bruto Prodhimit Vendor.”, thuhet tutje.