Bashkëkryetari i partisë Guxo, Faton Peci, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, deklaroi për media se këto konsultime janë në funksion të daljes nga bllokada institucionale.
“U bëj thirrje të gjitha partive politike t’i thërrasin arsyes, t’i thërrasin mendjes së shëndoshë dhe të mundësojnë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe konstituimin e tij. Vetëm në këtë mënyrë do të mund ta kemi një qeveri brenda 15 ditësh”, tha ai.
Peci shtoi se ekziston paqartësi lidhur me atë se çfarë ndodh nëse Kuvendi dështon të konstituohet brenda afatit 30-ditor.
“Ekziston mundësia reale që presidentja t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim shtesë lidhur me kuptimin e afatit 30-ditor, pasi dihet se në momentin e publikimit të këtij afati, tashmë kishin kaluar 30 ditë nga moskonstituimi i Kuvendit – nëse e marrim si bazë datën 15 prill, kur u bë përpjekja e parë”, tha Peci.