Një grup joformal studentësh paralajmërojnë protesta për moskonstituimin e Kuvendit

Një grup joformal studentësh paralajmërojnë protesta për moskonstituimin e Kuvendit

Një grup joformal i studentëve me emrin “Stundentks” në rrjetin social Instagram e që ka mbi 14 mijë ndjekës ka reaguar publikisht ndaj krizës institucionale në vend, duke e cilësuar moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës si një kërcënim të drejtpërdrejtë për të ardhmen e rinisë.

Në një postim të shpërndarë në Instagram, ata kanë paralajmëruar se durimi i tyre ka kufi dhe se, nëse Kuvendi nuk konstituohet, “do të jenë aty ku studentët gjithmonë kanë ditur të bëjnë histori: në sheshe, në protesta, në lëvizje që nuk ndalen.”

“Nuk jemi thjesht studentë. Jemi zëri që historia nuk e harron”, shkruajnë ata në mesazhin që i drejtohet direkt deputetëve të zgjedhur, të cilët akuzohen për neglizhencë dhe injorim të situatës reale në vend.

Sipas tyre, mungesa e Kuvendit dhe mosfunksionimi i qeverisë kanë ndalur mbështetjen për studentët, përfshirë bursat, politikat arsimore dhe vendimmarrjen për prioritetet e rinisë.

“Kjo nuk është thjesht një çështje politike, është një krizë që po prek jetën e mijëra studentëve në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

Thirrja për reflektim, e bërë në një gjuhë të drejtpërdrejtë, i paralajmëron deputetët që të marrin përgjegjësinë kushtetuese për ta zhbllokuar situatën, përndryshe aty paralajmërohet mobilizim në terren.

“Kjo është thirrje e fundit. Ne nuk harrojmë që ishin studentët ata që ngritën zërin për pavarësi. Ne nuk harrojmë që ishte rinia ajo që solli lirinë”, përfundon mesazhi i publikuar.

Related Articles