Policia në Gjilan ka ndihmuar një person që ndodhej në automjetin e tij, i cili kishte vështirësi në frymëmarrje si pasojë e erës së rëndë nga rrjedhja e një substance me përmbajtje kimike.
“Me datën 08.07.2025 rreth orës 23:55 në rrugën ‘Ibrahim Rugova’ në qytetin e Gjilanit, një patrullë policore nga Stacioni Policor në Gjilan, gjatë realizimit të detyrave të rregullta në pikë kontrollit të automjeteve, ka vërejtur se një person mashkull i vitit të lindjes 1977, i cili ndodhej i vetëm në automjet dyshohej se kishte probleme shëndetësore, probleme këto si pasojë e derdhjes së një shesheje me substancë me përmbajtje kimike (HCL) në automjet”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policët i kanë ofruar ndihmën e parë në vendin e ngjarjes dhe pastaj kanë ardhur ekipet emergjente duke ia ofruar atij ndihmën e nevojshme.
“Si pasojë e erës së rëndë të shkaktuar nga këto substanca, personi kishte shfaqur vështirësi dhe probleme shëndetësore të menjëhershme”.
“Zyrtarët policorë kanë reaguar me shpejtësi duke i ofruar ndihmën e parë në vendin e ngjarjes dhe kanë njoftuar menjëherë ekipin emergjent. Ekipi mjekësor ka arritur në vendngjarje duke i ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore personit në fjalë”.