Emërohet Komandanti i ri i policisë në Lipjan pas vdekjes së dyshimtë të 27-vjeçarit

Emërohet Komandanti i ri i policisë në Lipjan pas vdekjes së dyshimtë të 27-vjeçarit

Pas dorëheqjes së ofruar nga Argjend Gashi si Komandant i Stacionit Policor në Lipjan, Brahim Shatrolli është emëruar në këtë pozitë.

Lajmi e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Pas rastit të fundit i cili ka ndodhur në Lipjan, komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Kapiten Argjend Gashi ka kërkuar lirim nga pozita e Komandantit të Stacionit dhe kërkesa e tij është aprovuar. Në pozitën e Komandantit të Stacionit Policor ne Lipjan, është emëruar Kapiten Brahim Shatrolli”, ka thënë Kelani.

Sot, tashmë ish-komandati Argjend Gashi tha se kishte ofruar dorëheqje morale pas rastit të “vrasjes nga pakujdesia” të Agon Zejnullahut.

Ai tha se raportimet se ai është shkarkuar nuk qëndrojnë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policës, Gazmend Hoxha konfirmoi se tashmë dorëheqja e tij ishte miratuar.

“Ka bërë kërkesë për lirim nga detyra dhe i është aprovuar”, deklaroi Hoxha.

27-vjeçari, Agon Zejnullahu vdiq në orët e para të datës 7 korrik, pas arrestimit nga Policia e Kosovës.

Për rastin e 27-vjeçarit, pesë policë tashmë po dyshohen për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.

Ndaj të njëjtëve, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.

Related Articles