Shqipëria tashpërtash është kryesuese për anëtarësim në BE nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Këtë vlerësim e ka dhënë vetë raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder.
Nëse dikur ajo ngecte prapa fqinjëve si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut apo Serbia, sot ajo e ka përmbysur domethënshëm gjendjen sa i përket rrugëtimit për anëtarësim në Bashkim Evropian.
“Në raportin e parë mbi Shqipërinë, ne e mirëpresim përparimin e shpejtë që ‘kryesuesja e anëtarësimit’ ka bërë gjatë viteve të fundit”, ka thënë Schieder në mbledhjen e Parlamentit Evropian, të mbajtur të mërkurën, me ç’rast eurodeputetët votuan raportet për Shqipërinë, Bosnjën dhe Maqedoninë e Veriut.
Në një prononcim për mediumin bne intelliNews, Schieder ka konfirmuar se Shqipëria tashmë konsiderohet si kryesuese jo vetëm mes këtyre tre vendeve, por mes të gjitha vendeve kandidate për t’u bërë pjesë e BE-së.
“Shqipëria është partnere e fortë dhe e besueshme në politikën e jashtme dhe ka ndërmarrë hapa të mahnitshëm në të gjitha fushat si drejtësia, antikorrupsioni dhe mbrojtja mjedisore”, ka thënë Schieder, duke shtuar se synimi i vendit për anëtarësim të plotë më 2030 kërkon përparim të vazhdueshëm në krijim të vendeve të punës, përmirësime në mirëqenie sociale dhe reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore.
Grupi i deputetëve socialistë e demokratë të Parlamentit Evropian, nëpërmjet një afishimi në platformën ‘X’, ka vlerësuar përpjekjet e Shqipërisë.
“Të lumtë, Shqipëri – kryesuese në bisedimet për anëtarësim! Ne e mbështesim plotësisht qëllimin për t’u bërë gati për anëtarësim në BE në fund të 2027-s”.
Shqipëria kishte aplikuar për anëtarësim në BE qysh më 2009, statusin e kandidates e mori më 2014, kurse bisedimet për anëtarësim i filloi vetëm më 2022.
Por nga ajo kohë e deri më tani, ajo lëvizi më shpejt sesa që ishte pritur, duke qenë se plot vende anëtare u pajtuan që brenda tre vitesh të hapeshin nënkapitujt që mbulojnë kapitullin 23.
Ishte ky hap që e kapërceu përparimin e Serbisë të bërë për më shumë se një dekadë.
“Në kontekstin e politikës së zgjerimit, termi ‘kryesuese’ (frontrunner) është asociuar me Shqipërinë për herë të parë”, është thënë në një raport të bërë tash së voni nga think-tanku në Beograd, Qendra për Politikë Evropiane (EPC).
Aty është vlerësuar se ky zhvillim vjen pjesërisht nga përputhja e Shqipërisë me politikën e jahtme të BE-së dhe mbështetjen e saj të zëshme për Ukrainën pasi ajo u pushtua prej Rusisë.
Megjithë përparimin e shpejtë, raporti i fundit ka tërhequr vërejtjen se Shqipëria ende ka punë para vetes.
Eurodeputetët kanë vënë theksin te nevoja për të fuqizuar pavarësinë e gjyqësorit, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e të drejtave thelbësore, ashtu sikurse edhe përmirësimin e pluralizmit mediatik dhe transparencës së pronësisë.