Në një nga përgjimet e publikuara në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Nazim Bllaca, dëshmitar bashkëpunues i EULEX-it dëgjohet duke kërcënuar me pasoja të rënda në rast se ai “goditet” nga misioni ndërkombëtar.
“Nëse EULEX-i e godet Bllacën, ti e din çka del mandej… Unë nuk jam as Agim Zogaj… këtu ku ka të holla, ka kallashnikov. Ku ka kallashnikov, ka edhe plumb”, i thotë ai Zdenka Pumper-it, një zyrtare e EULEX-it me të cilën komunikonte rregullisht.
Në vazhdën e publikimeve, janë zbardhur përgjime dhe dokumente që dëshmojnë për mënyrën se si Bllaca për vite me radhë ka bashkëpunuar me hetues ndërkombëtarë dhe me Serbinë, përfshirë edhe raste që më vonë përfunduan në Gjykatën Speciale në Hagë.
Në një tjetër përgjim, Bllaca deklaron se kishte bashkëpunuar me prokurorin italian Maurizio Salustro, i cili fillimisht u prezantua si ndjekës i “peshqve të mëdhenj” në Kosovë, por që më pas punoi si këshilltar i drejtësisë në Beograd.
Ai tregon se kishte dorëzuar lëndë për rastin “Kleçka” dhe se e njihte mirë procesin e përzgjedhjes së figurave që viheshin në shënjestër nga hetimet ndërkombëtare:
“Unë kam nënshkru kush janë peshqit e mëdhenj gjatë kohës së luftës… kam dorëzu lëndën te Salustro… e di se cilët janë figurat me pushtet dhe me pika të zeza”, dëgjohet të thotë Bllaca.
Kurse në një përgjim tjetër Bllaca i thotë Zdenkës: Prit pak se kur nis punën Gjykata Speciale, do ta kalojmë atje rastin sepse është çështje sensitive.
Por përtej dëshmisë, përgjimet zbulojnë një frikë dhe tension të vazhdueshëm tek Bllaca, për shkak të përfshirjes së tij në rrjete sensitive të bashkëpunimit ndërkombëtar.