Deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen në përpjekjen e 46-të për konstituimin e legjislaturës së 9-të, pesë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.
Javën e ardhshme bëhen tre muaj që prej 15 prillit, seancës së parë për konstituimin e Kuvendit, e cila nuk është përmbyllur ende.
Partitë parlamentare nuk po arrijnë të pajtohen për ta konstituuar Kuvendin as pas aktgjykimit të Kushtetueses që obligon që kjo të bëhet brenda 30 ditësh.
Procesi ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit – me Vetëvendosjen që kërkon votim të fshehtë, pasi kandidatja e saj Albulena Haxhiu s’i mori 61 vota të nevojshme në votim të hapur – por partitë e tjera e kundërshtojnë një mënyrë të tillë të votimit.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë. Afati i fundit është 26 korriku.
Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi.
Presidentja Vjosa Osmani është duke shqyrtuar mundësitë ligjore për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë lidhur me ngërçin e krijuar tash e sa muaj.
Në adresë të Kushtetuteses janë dërguar edhe dy kërkesa javën e kaluar, nga PDK dhe LDK. Këto dy parti i janë drejtuar Gjykatës lidhur me tri vazhdimet e seancës konstituive pas Aktgjykimit.