Presidenti Trump dhe ai indonezian arrijnë një marrëveshje për tarifat

Presidenti Trump dhe ai indonezian arrijnë një marrëveshje për tarifat

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka arritur një marrëveshje të re tarifore, kësaj radhe me Indonezinë, duke zbutur tensionet tregtare mes dy vendeve.

Sipas marrëveshjes, tarifat ndaj produkteve indoneziane do të ulen nga 32% në 19%, një vendim që u bë publik nga vetë liderët e të dy vendeve. Trump e përshkroi marrëveshjen si një hap që siguron “akses të plotë” për kompanitë amerikane në tregun indonezian.

Presidenti indonezian, Prabowo Subianto, e cilësoi këtë si një “epokë të re përfitimi të ndërsjellë” në raportet me SHBA-në. Ai pranoi se Trump ishte një “negociator mjaft i ashpër”, duke iu referuar procesit të arritjes së marrëveshjes.

Kjo marrëveshje vjen në vazhdën e një serie zhvillimesh që nisën me vendimin e administratës amerikane për të rishikuar tarifat ndaj një numri vendesh, në përpjekje për të forcuar pozitat e saj tregtare globale.

Më herët gjatë këtij muaji, Trump kishte paralajmëruar dhjetëra vende për mundësinë e vendosjes së tarifave të reja duke filluar nga 1 gushti. Këto paralajmërime kishin si objektiv partnerët më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së, përfshirë BE-në, Kanadanë, Japoninë, Meksikën dhe Korenë e Jugut.

Edhe Indonezia kishte marrë një nga këto paralajmërime, duke shkaktuar pasiguri për ecurinë e negociatave. Por pas një telefonate mes dy presidentëve, u arrit dakordësia që tarifat të uleshin.

Në kuadër të marrëveshjes, Indonezia ka pranuar gjithashtu të reduktojë tarifat ndaj produkteve bujqësore dhe mallrave të prodhuara nga SHBA-ja, për të cilat Washingtoni kishte shprehur shqetësime të vazhdueshme.

Related Articles