Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar të hënën se Rusia është e pajtimit për të zhvilluar rundin e ri të bisedimeve për paqen me Ukrainën, mirëpo ka theksuar se kërkohet punë më e madhe diplomatike që të dyja palët të përafrojnë qëndrimet diametralisht të kundërta, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Enigma.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte thënë të shtunën se Kievi veçse i ka dërguar Moskës një ofertë të re për mbajtjen e bisedimeve për paqen gjatë kësaj jave, dhe se ai dëshiron që negociatat rreth armëpushimit të përshpejtohen.
Nga ana tjetër, Peskov ka bërë të ditur se në momentin që përcaktohet përfundimisht data e rundit të ardhshëm të bisedimeve, atëherë Moska do ta lajmërojë atë.
“Ka një draft-memorandum nga ana jonë, dhe një draft-memorandum që është dorëzuar nga pala ukrainase. Pritet një shkëmbim mendimesh dhe bisedime mbi këto dy drafte, të cilat deri më tani janë diametralisht të kundërta”, ka shtuar ai.
Ukraina dhe Rusia kanë zhvilluar dy runde bisedimesh në Stamboll, respektivisht në datat 16 maj dhe 2 qershor, të cilat rezultuan frytdhënëse në shkëmbimin e mijëra robërve të luftës dhe riatdhesimin e trupave të ushtarëve të vrarë.
Por, të dyja palët nuk kanë arritur asnjë përparim drejt marrëveshjes së armëpushimit apo të çfarëdo marrëveshjeje që i jep fund luftës që ka hyrë tashmë në vitin e katërt.