Komuniteti shqiptaro-amerikan i ka dërguar një letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump.
Në letrën e dërguar në adresë të shefit të Shtëpisë së Bardhë, “Shqiptarët për Amerikën”, u shprehen se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është zgjidhja e vetme për arritjen e paqës së qëndrueshme.
Tutje në këtë letër thuhet se kjo ide u mbështet fuqishëm nga Trump gjatë mandatit të parë.
Gjithashtu, përmendet edhe përpjekja e presidentit të ShBA-së për të paranaluar një luftë në rajon.
“Shprehim mbështetjen tonë të plotë për thirrjet e fundit dypartiake për zbatimin e menjëhershëm të njohjes reciproke si zgjidhja e vetme për arritjen e paqes së qëndrueshme në këtë pjesë të rëndësishme të Evropës. Ky është një qëllim që ju e keni mbështetur disa herë, përfshirë edhe përmes përpjekjeve tuaja të fundit për të ndaluar armiqësitë e vazhdueshme të Serbisë dhe për të parandaluar një luftë të ripërtërirë në rajon. Është gjithashtu një qëllim që përputhet drejtpërdrejt me interesat strategjike të SHBA-së”, thuhet në letër.
Komuniteti shqiptaro amerikan, ndër të tjera shpreh shqetësimin për zgjatjen e status-quos, që sipas tyre në thelb është destabilizuese.
“Refuzimi i vazhdueshëm i Serbisë për t’u përshtatur me politikën e jashtme të Amerikës dhe për të njohur sovranitetin e Kosovës ka inkurajuar përshkallëzime të përsëritura, më së shumti aktet e agresionit nga Serbia në vitet 2023 dhe 2024, si dhe përpjekjet e fundit për përshkallëzime që ju i parandaluat me sukses”.
Shoqatat shqiptare shprehen mirënjohëse për angazhimin e Shteteve të Bashkuara për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Ato theksojnë se Pavarësia e Kosovës është një fitore e qartë amerikane.
“Populli i Kosovës duroi dekada të tëra shtypjeje sistemike, që kulmuan me gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera nga regjimi i Millosheviqit. Komuniteti ndërkombëtar, i udhëhequr nga SHBA-të, ndërhyri për të parandaluar zhdukjen e një popullsie të tërë. Shtetësia e Kosovës është produkt i legjitimitetit historik dhe domosdoshmërisë humanitare”.
“Kosova qëndron si kombi më pro-amerikan në botë, siç dëshmohet nga fakti që është i vetmi vend evropian që ka arritur një marrëveshje me SHBA-në për shtetasit e vendeve të treta dhe vendi i parë në nivel global që propozon një tarifë zero për mallrat amerikane – vendim që hyri në fuqi javën e kaluar. Mbështetja e saj e palëkundur për lidershipin amerikan, vlerat e saj të lirisë dhe partneritetet e saj globale janë të pakrahasueshme. Kosova ka një prani ushtarake jetësore të SHBA-së/NATO-s dhe është rreshtuar vazhdimisht me objektivat e politikës së jashtme të SHBA-së”.
Por, aty nuk lihet anash pa u përmendur roli destruktiv i Serbisë dhe rreziqet që mund t’i sjellë ajo.
“Në të kundërt, Serbia vazhdon të forcojë aleancat me kundërshtarët e Amerikës, veçanërisht Rusinë, Kinën dhe Iranin, duke minuar kështu përpjekjet për bashkëpunim rajonal koheziv dhe duke kërcënuar interesat e SHBA-së”.
Ndër të tjera, komuniteti shqiptaro-amerikan shpreh mirënjohjen për lidershipin e Trumpit, i cili ishte vendimtar në arritjen e Marrëveshjes së Uashingtonit të vitit 2020.
Por, që Serbia ka dështuar ta zbatojë duke e shkelur atë.
“Fatkeqësisht, Serbia ka shkelur shumicën e komponentëve të saj kritikë dhe ka dështuar ta zbatojë atë. Sot, ju jeni në një pozicion unik për të siguruar që procesi i normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë të arrijë në përfundimin e tij të ligjshëm: njohjen reciproke brenda kufijve ekzistues”.
Ne ju nxisim me respekt që të:
- Ripohoni publikisht mbështetjen e SHBA-së për njohjen reciproke Kosovë-Serbi si themel për paqe të qëndrueshme.
- Inkurajoni të dy vendet të finalizojnë njohjen dhe të angazhohen për bashkëpunim bazuar në parimin e normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.
- Mbështetni mekanizma të fuqishëm zbatimi për të siguruar zbatim të plotë dhe në kohë.
“Komuniteti shqiptaro-amerikan, ashtu siç kemi mbështetur kthimin tuaj në Shtëpinë e Bardhë, është gati të mbështesë çdo përpjekje që e çon këtë bllokim të gjatë në një zgjidhje përfundimtare. Faleminderit për angazhimin tuaj të vazhdueshëm për paqen nëpërmjet forcës dhe për udhëheqjen tuaj në këtë çështje të rëndësishme”, thuhet në letrën e dërguar nga Shoqatat shqiptare në Amerikë.