Policia e Kosovës ka arrestuar dy shtetas të Shqipërisë në Pikën Kufitare në Vërmicë, pasi u kapën me para të falsifikuara.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, të dyshuarit ishin furnizuar me derivate në një pikë karburanti dhe kishin paguar me 50 euro në kartëmonedha nga 10 euro, prej të cilave katër rezultuan të falsifikuara. Informacionet e shpejta të siguruara nga Njësia për Mbështetje të Trafikut Rrugor ndihmuan në lokalizimin dhe arrestimin e tyre.
Gjatë kontrollit të automjetit të tyre, policia gjeti edhe 780 euro të tjera në kartëmonedha të dyshuara si të falsifikuara.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve. Pas konsultimeve me prokurorin, njëri prej tyre është ndaluar për 48 orë për veprën penale “Falsifikim i parasë”, ndërsa tjetri është liruar dhe do të ndiqet në procedurë të rregullt.