Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar lidhur me tri vrasjet në Gjilan.
Ai ka thënë se Policia e Kosovës duhet të pastrohet nga fajdexhinjtë.
Shkrimi i tij i plotë:
Dita e 10 gushtit ishte një ditë tragjike për Kosovën. Vetëm brenda një dite, në vendin tonë ndodhën katër vrasje mizore. Tre persona u ekzekutuan në mënyrë makabre në Gjilan nga individë që ndër vite ishin të njohur për vepra të ndryshme penale, ndërsa një i ri u therr me thikë për vdekje në Prizren.
Kjo datë duhet të jetë alarm për gjithë shoqërinë dhe për të gjitha institucionet tona, pa dallim, që të marrin masa të pamëshirshme ligjore, jo vetëm për t’i ndëshkuar, por edhe për t’i parandaluar këto krime.
Veproni sot, për të mos vajtuar nesër!
Pastrojeni uniformën e policisë nga fajdexhinjtë.
Nuk ka komunë pa dukuri të tilla, dhe shumica prej tyre dihen edhe nga publiku.