Një muaj paraburgim për Ramadan Morinën, i dyshuar për krime lufte

Një muaj paraburgim për Ramadan Morinën, i dyshuar për krime lufte

Gjykata Themelore në Prishtinë ka urdhëruar të enjten një muaj paraburgim për Ramadan Morinën, i cili u arrestua të martën nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1999 në Kosovë.

Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë, tha se gjykata e pranoi kërkesën e prokurorëve për ta paraburgosur Morinën për një muaj gjatë një seance mëngjesin e së enjtes.

Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se Morina dyshohet se mori pjesë në masakrimin e 34 civilëve shqiptarë në fillim të vitit 1999 në një fshat të Malishevës, në juglindje të vendit.

“R.M. dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, më 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës”, sipas Prokurorisë.

Prokuroria tha se kundër të akuzuarit ka siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve të ngjarjes dhe të të mbijetuarve.

Së fundi, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur disa aktakuza për krimet që janë kryer gjatë luftës më 1998-’99.

Po ashtu, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-1999 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Related Articles