Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka mirëpritur vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për të miratuar një kredi prej 2.5 milionë Eurosh për Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
AGK vlerëson se nëpërmjet këtij vendimi mundësohet funksionimi në së paku 3 muajt e ardhshëm për RTK-në, dhe ekzekutimi i pagave për 700 punonjësit e saj.
“AGK-ja ka qëndruar pranë gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të RTK-së që prej fillimit dhe i përgëzon ata për kryerjen e detyrave me gjithë presionin financiar”, thuhet në njoftim.
AGK-ja e fton Qeverinë në detyrë të Kosovës, dhe partinë politike që e udhëheq atë, Vetëvendosje që të ndalojë presionin e vazhdueshëm politik ndaj RTK-së, të ushtruar në forma të ndryshme.
“AGK-ja bën thirrje që legjislatura e re të miratojë një Ligj të ri për Transmetuesin Publik, që do të garantonte funksionimin e pavarur e të papenguar të RTK-së, duke përfshirë edhe gjetjen e zgjidhjes për pronën”, u tha në fund në deklaratën e AGK-së.